Kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli kërkoi që sa më shpejt të zbardhen rastet e zjarrvënies së qëllimshme, të cilat, sipas tij, kanë shkaktuar edhe situatën e zjarreve në Vlorë, por jo vetëm.
“Zjarrvëniet e qëllimshme janë ato që shkaktojnë situata nga problematiket. Zjarri i djeshëm në Bisht Poro ka qenë absolutisht i qëllimshëm. Ajo që e shkakton të gjithë janë zjarrvëniet e qëllimshme. Të vëmë dorën në plagë, aty ku fillon e keqja”, tha Leli për gazetarët.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ka vënë nën kontroll pjesën më të madhe të zjarreve në qarkun e Vlorës, ndërsa vijon puna për shuarjen e flakëve në Gadishullin e Karaburunit. Vatra zjarri janë regjistruar edhe në pjesë të tjera të vendit, si në Vaun e Dejës, Fushë-Arrëz, Dibër, Skrapar dhe Elbasan.