Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka reaguar për situatën aktuale të vatrave të shumta në vend, nga Jugu në Veri duke thënë se strukturat e mbrojtjes civile janë duke u përballur me flakët në 5 vatra zjarri, ku më kritiket mbeten ato të Karaburunit dhe Kurbinit.
Peleshi thotë se koordinimi dhe ndërhyrja e menjëhershme e strukturave të emergjencave civile, ka bërë që vatrat të neutralizohen menjëherë, pa u cënuar pasuritë natyrore apo zonat e banuara.
“Aktualisht strukturat e mbrojtjes civile janë duke u përballur me flakët në 5 vatra zjarri, ku më kritiket ngelen ato të Karaburunit dhe Kurbinit.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme në Qëndrën e Emergjencave Civile janë lajmëruar me dhjetra vatra.
Koordinimi dhe ndërhyrja e menjëhershme e strukturave të emergjencave civile në nivel vendor dhe qendror ka bërë të mundur neutralizimin e tyre pa cënuar pasuritë natyrore apo zona të banuara.
Bashkëpunimi me komunitetin për parandalimin apo lajmërimin e hershëm të situatave të zjarreve është jetik për të limituar pasojat e temperaturave të larta të këyre ditëve”, shkruan Peleshi.