Teksa kanë kaluar më shumë se 40 orë nga aktivizimi i zjarrit në magazinën e një qendre tregtare ende nuk dihet fati i rojes, Arjan Sala. Për shuarjen e flakëve është thyer soleta, për të bërë të mundur ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse nga brenda.Aktualisht po vijojnë kërkimet për gjetjen e 33-vjeçarit. Në pjesën që zjarrfikësit kanë depërtuar deri më tani, nga kontrolli nuk ka rezultuar të jenë gjendur gjurmë të rojes.
Zjarri ra pasditen e së mërkurë, ndërsa roja hyri brenda godinës sapo dëgjoi aktivizimin e alarmit të zjarrit. Sipas dëshmisë së familjarëve ai shpëtoi rreth 20 punonjës por nuk mundi të dalë vetë. Kreu i repartit të zjarrfikëseve pohoi se ende nuk ka gjurmë të 33-vjeçarit, ndërsa kërkimi i tij bëhet i vështirë për shkak të tymit të madh që është në ambientet e brendshme të magazinës.