Vijon aksioni për shuarjen e flakëve masive në Gadishullin e Karaburunit. Rreth 500 efektivë të Forcave të Armatosura, 50 mjete, 3 helikopterë, zjarrfikëse e autoambulanca janë angazhuar prej orëve të para të mëngjesit të sotëm në operacionin për shuarjen e flakëve në Karaburun. Flakët kanë vijuar të jenë aktive përgjatë natës, duke u kthyer në rrezik për banorët e fshatit Dukat. Aksioni po vijon prej orësh nga toka dhe nga ajri për të vënën nën kontroll flakët, në mënyrë që ato të mos përparojnë drejt Parkut të Llogarasë.
Një tjetër vatër aktive është në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës, ku ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme. Shërbimi vendor i MZSH Vau Dejës ndodhet në vendngjarje dhe po punohet për shuarjen e flakëve.
Gjithashtu puna po vijon për vënien nën kontroll të zjarrit të rënë në fshatin Qesorat, të njësisë administrative Lunxhëri në bashkinë e Gjirokastrës, ku bashkë me punonjësit e shërbimit të zjarrfikëses së këtij qarku janë bashkuar edhe 20 efektivë të FA.