Nga viti 2010 në vitin 2019, numri i hoteleve, bareve dhe restoranteve në të gjithë vendin është rritur me 17%.
INSTAT referoi së në vitin 2019, në total ushtruan aktivitet 18 mijë e 440 hotele dhe restorante, por në disa bashki, numri i tyre është rritur dhe në disa të tjera, ka pësuar rënie të dukshme.
Numri i madh i aktiviteteve të bareve dhe hotele është në Bashkinë e Tiranës, e cila zotëron 30% të totalit.
Siç shihet nga grafiku, Vlora, Kamza, Elbasani dhe Feri janë bashkitë me rritjen më të madhe të numrit të bareve dhe hoteleve gjatë 10-vjeçarit të fundit, në të kundërt Durrësi, Shijaku dhe Delvina panë mbylljen më të madhe të bareve, restoranteve dhe hoteleve në këtë periudhë. Në Durrës dhe Shijak, mbyllja e aktiviteteve është ndikuar nga zhvillimet e vitit 2019, ku tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit çoi në shkatërrimin e një serie aktivitetesh në të gjithë bashkinë. E njëjta arsye vlen edhe për mbylljen e këtyre aktiviteteve në zonën e Shijakut.
Me gjithë rënien, Durrësi është bashkia e dytë në vend për numrin më të lartë të bareve dhe restoranteve ndër teë 61 bashkitë. Vlora, Shkodra, Elbasani, Fieri dhe Korça vijnë në radhë për numrin e lartë të aktiviteteve të shërbimit ushqimor dhe akomodimit. Shpërndarja e këtyre aktiviteteve, sipas bashkive, përfaqëson ndryshime që pasqyrojnë urbanizimin e shpejtë të disa qyteteve të tilla si Kamza dhe zhvillimin e sektorit të turizmit. Qytetet më numrin më të lartë të hotele dhe restoranteve, përveç Tiranës, janë qytetet tipike turistike, si Vlora, Korça, Shkodra dhe Durrësi.
Në raport me popullsinë, Shqipëria numëron 518 bare për çdo 100 mijë banorë, duke kapur rekord jo vetëm në Europë, por edhe në botë. Ndërsa lë shumë pas vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, bazuar në të dhënat e Eurostat, mbi numrin e aktiviteteve të shërbimit të pijeve dhe numrit të popullsisë, numri i bareve në Bashkimin Europian në vitin 2017 nuk ishte më i lartë se 115 bare për çdo 100 mijë banorë.
Në top 5 vendet me numrin më të lartë pas Portugalisë, është Spanja me 392 bare për 100 mijë banorë, Greqia me 343, Kroacia me 240 dhe Italia me 211.
Nga ana tjetër, numrin më të ulët ndër vendet e BE-së dhe vendeve kandidate për t’u anëtarësuar e ka shënuar Serbia, ku sipas të dhënave të Eurostat dhe përllogaritjeve të “Monitor” në raport me popullsinë kishte vetëm 9 bare (aktivitete të shërbimit të pijeve) për 100 mijë banorë.
Marrë nga Monitor.al