Gati një e treta e të punësuarve në bizneset bujqësore ishin informalë në vitin 2020 sipas matjeve të INSTAT nëpërmjet Anketës së Forcës së Punës. Rezultati u publikua sot në një botim të posaçëm mbi zhvillimet në tregun e punës përgjatë vitit të kaluar.
INSTAT referoi se në vitin 2020, përqindja e punësimit informal në sektorin jo-bujqësor është 29,1 %, duke pësuar një ulje me 0,9 pikë përqindje krahasuar me vitin 2019.
Duke e analizuar tregun e punës në këndvështrimin gjinor, vihet se femrat kanë 1,4 herë më shumë gjasa sesa meshkujt për të qenë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes. Vlerësimet e marra nga AFP, tregojnë se 27,0 % e femrave të punësuara dhe 15,5 % e meshkujve të punësuar janë punëtorë pa pagesë të familjes.
Gjatë vitit 2020, numri i të punësuarve në Shqipëri është 1.243.345 persona. Krahasuar me vitin paraardhës, punësimi u ul me 1,8 %. Shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për popullsinë 15-64 vjeç është 69,1 %. Për meshkujt e moshës 15-64 vjeç, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 15,9 pikë përqindje më e lartë sesa për femrat. Shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 60,6 %. Shkalla e punësimit për femrat është 53,6 % dhe për meshkujt 67,8 %. Hendeku gjinor në punësim për këtë grup-moshë është 14,2 pikë përqindje.
Analiza e punësimit sipas grup-profesioneve reflekton strukturën e punësimit sipas sektorëve. Në vitin 2020, punonjësit e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit përbëjnë 46.6 % të të punësuarve. Nëpunësit dhe punonjësit e shitjeve dhe shërbimeve përbëjnë 19,3 % të të punësuarve.
Sipas vlerësimeve të anketës për vitin 2020, rezulton se 46,1 % e të punësuarve janë të punësuar me pagë, 33,3 % janë të vetë-punësuar (punëdhënës ose të vetëpunësuar pa të punësuar të tjerë) dhe 20,6 % janë punëtorë pa pagesë në biznesin e familjes. Sektori i shërbimeve dhe sektori bujqësor kanë përqindjen më të lartë të të punësuarve me përkatësisht 43,4 % dhe 36,1 % të të punësuarve gjithsej.
Forca e punës është 1.407.958 persona. Meshkujt përbëjnë 55,4 % të forcës së punës dhe femrat 44,6 %.
Të punësuar janë 1.243.345 persona, ku meshkujt përbëjnë 55,5 % të të punësuarve dhe femrat 44,5 %. Të papunë janë 164.613 persona, ndër të cilët 54,5 % janë meshkuj dhe 45,5 % janë femra.
Shkalla zyrtare e papunësisë për grup-moshën 15-74 vjeç është 11,7 %. Për meshkujt, shkalla e papunësisë është 0,4 pikë përqindje më e ulët sesa për femrat. Krahasuar me vitin 2019, punësimi është ulur me 1,8 %, ndërsa shkalla zyrtare e papunësisë (për grup-moshën 15-74 vjeç) është rritur me 0,2 pikë përqindje.
60,6 % e popullsisë 15-64 vjeç është e punësuar, 8,4 % është e papunë dhe 30,9 % është ekonomikisht jo aktive (jashtë forcave të punës). 67,8 % e meshkujve 15-64 vjeç janë të punësuar, 9,3 % janë të papunë dhe 22,9 % janë jashtë forcave të punës. 53,6 % e femrave 15-64 vjeç janë të punësuara, 7,6 % janë të papuna dhe 38,8 % janë jashtë forcave të punës.
Marrë nga Monitor.al