Të hapësh një biznes në Shqipëri nuk kërkon ndonjë model të veçantë.
Të gjithë rendin ose drejt dyqaneve të tregtisë apo shërbimeve dhe mbi të gjitha pas bareve apo restoranteve. Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2019, në Shqipëri kishte rreth 16 mijë barë e restoranteve (4 mijë restorante dhe 12 mijë bare), të cilat përbëjnë rreth 15.4% të subjekteve private në Shqipëri.
Pesha që zënë baret e restorantet ndaj totalit të bizneseve, në Shqipëri është më e larta në Europë, sipas të dhënave të tjera nga Eurostat dhe institutet statistikore të rajonit, të përpunuara nga Monitor.
Në Bashkimin Europian (me 27 shtete), vetëm 7% e bizneseve janë në sektorin e shërbimit ushqimor dhe të pijeve (bare e restorante). Rekordin në BE e mban Kroacia, me 11.7%.
Shqiptarët rezultojnë që e pëlqejnë të shpenzojnë kohë në kafe më shumë se pjesa më e madhe e vendeve europiane, teksa në vend të tretë renditet Kosova, me 11.2% të subjekteve që e ofrojnë shërbimin ushqimor dhe të pijeve.
Më pak renditen shtete që e kanë të lidhur ekonominë me aktivitetin e turizmit, si Mali i Zi (11%), Qipro (10.8%), Spanja (10.6%), Greqia (10%).
Në rajon, më pak të dhënë pas kafeve janë serbët, ku vetëm 4% e subjekteve i përkasin aktivitetit të shërbimit ushqimor dhe pije. Të dhënat e Institutit statistikor të Serbisë bëjnë të ditur se në Serbi ka më pak se 4 mijë bare e restorante, ose 4 herë më pak se në Shqipëri, ndonëse popullsia e saj është 2.5 herë më e lartë se e Shqipërisë.
Në fund të listës renditen shtete si Polonia, Norvegjia, Letonia, Lituania, me më pak se 3% të bizneseve të tyre që e ushtrojnë aktivitetin në bare e restorante. (shih grafikun Bizneset e bareve e restoranteve/totalit subjekteve).
150 euro/frymë, shpenzimet për bare e restorante arritën rekord në 2019-n
Në vitin 2019, të dhënat e INSTAT tregojnë se numri i restoranteve u rrit me 26%, duke arritur në rreth 4 mijë, ndërsa ai i bareve u tkurr me 18.7%. (shih grafikun: Numri i bareve e restoranteve, Shqipëri).
Ndonëse në total, numri i bareve e restoranteve në vend ra me 10.7%, të ardhurat e tyre, apo shpenzimet e shqiptarëve, arritën një nivel rekord në 2019-n prej 51.8 miliardë lekësh, ose rreth 420 milionë euro, ose 150 euro/frymë. Sipas INSTAT, në krahasim me 5 apo 6 vjet më parë, shpenzimet për kafene e restorante janë dyfishuar (shih grafikun Më shumë kafe e dreka/Shpenzimet e shqiptarëve për bare e restorante).
Në total, në bare dhe restorante janë të punësuar rreth 45 mijë persona në 2019-n, sipas INSTAT, me rënie prej 4% me bazë vjetore. Norma mesatare e fitimit për këtë aktivitet është rreth 11.2%. megjithatë vlerësohet që sektori ka informalitet të lartë.
Në 2020-n sektori i bareve e restoranteve ka pësuar goditje të madhe, fillimisht për shkak të karantinës disa mujore në pjesën e parë të vitit dhe më pas nga kufizimet në oraret e mbrëmjes. Statistikat afatshkurtra të INSTAT tregojnë se Indeksi i volumit, i Bar-Restorante, shënoi një rënie të fortë prej 55% në tremujorin e dytë, në periudhën e karantinës, ndërsa në të tretin dhe të katërtin, tkurrja ishte përkatësisht 25% dhe 19%.
Marrë nga Monitor.al