KOSOVË-Gjykata Speciale ka vendosur që ditën e sotme të mbahet seanca e tretë për ish-udhëheqësin e UÇK-së, Salih Mustafa. Sipas mediave të Kosovës, seanca do të mbahet në orën 15:00.
Sakaq, Salih Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja. Më 28 shtator, ai nuk ka pranuar të deklarohet për akuzat që lidhen me krime lufte në Kosovë.
Ndërsa, më 28 tetor, ish-eprori i UÇK-së është deklaruar i pafajshëm për katër akuzat e ngritura ndaj tij nga Specialja. Më 23 nëntor, gjykata ka vendosur që Mustafës t’i vazhdohet paraburgimi.
Gjithashtu në Hagë ndodhen dhe Hashim Thaçi bashkë më tre ish-udhëheqës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi. Të katër zyrtarët më të lartë të Kosovës, akuzohen për arrestim të paligjshëm, vrasje dhe torturë, të cilat konsiderohen si krime lufte. Në aktakuzën e publikuar shkruhet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të një viti më vonë, në Kukës dhe Cahan janë kryer krime ndaj qindra civilëve që nuk ishin pjesë e luftës së UÇK-së. Ndërkohë deri më tani janë mbajtur dy seanca, ku të katërt janë deklaruar të pafajshëm për akuzat. Sakaq, seanca e radhës pritet të mbahet më 17 dhjetor.