TIRANË– Deputeti socialist Rrahman Rraja do të verifikohet nga Prokuroria e Posaçme për pasurinë e tij. Ditën e djeshme, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur hetim pasuror për 6 shqiptarët e arrestuar dy ditë më parë në Belgjikë gjatë operacionit “Atos”, mes tyre edhe të afërmit e deputetit Fioralb dhe Ramazan Rraja.
Për të bërë më të plotë hetimin, SPAK do të ‘gërrmojë’ edhe të afërmit e tyre për të parë nëse se si janë fshehur apo dhe justifikuar paratë e siguruara nga aktiviteti i jashtëligjshëm.
Anëtarët e grupit u arrestuan të shtunën në Belgjikë, ndërkohë që ‘karrierën’ e kishin nisur që në vitin 2017. Ata e trafikonin drogën nga Ekuadori drejt Gjermanisë në kutitë e bananeve. Policia gjermane nisi hetimet duke gjurmuar kutitë e bananeve dhe pikërisht ky hetim i çoi ata në Amerikën Latine.
Trafikantët e fusnin drogën në kutitë e bananeve. Më pas ngarkesa vinte nga Ekuadori për në portin e Hamburgut. Prej andej shpërndahej me kamionë në magazinat ku frutat piqeshin plotësisht. Shqiptarët mbërrinin te këto magazina dhe merrnin lëndën narkotike. Pasi mësuan skemën, policia gjermane arrestoi 14 persona dhe ata dolën në gjyq për trafikun e të paktën 1.2 ton kokainë. Policisë Bavareze në bashkëpunim me atë gjermane, ishin të bindur se nuk përfundonte gjithçka me kaq, por që një grup tjetër ishte pas tyre, që u godit dje.