Kosova do të shkojë në zgjedhjet e parakohshme, por pavarësisht takimeve të djeshmet të ushtrueses së detyrës së presidentit Vjosa Osmani, me krerët e partive kryesore në vend ende nuk ka një datë të përcaktuar.
Gjatë të martës, Osmani u takua me përfaqësuesit e katër partive politike, i pari të cilin takoi ishte Albin Kurti, i cili theksoi se ata duan mbajtjen e zgjedhjeve sa më parë të jetë e mundur, pasi vendi sipas tij kishte humbur mjaftueshëm kohë.
Vetëvendosja është partia që ka kërkuar më së shumti me insistim mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, pas rrëzimit të qeverisë Kurti dhe ajo ka ngritur edhe padinë në Gjykatën Kushtetuese.
LDK e ka një datë të mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve. Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arban Abrashi, pasi u takua me Osmanin ka përmendur 7 shkurtin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve. Por, para se të mbahen zgjedhjet, LDK-ja ka kërkuar që të votohet buxheti për vitin 2021.
Ndërkohë që kryetari i saj Isa Mustafa me anë të një postimi në Facebook, ka theksuar se në zgjedhjet e ardhshme forca qeverisëse në vend do të jetë fituese.
“LDK-ja aktualisht udhëheq me Qeverinë dhe do të jetë përgjegjëse dhe e përkushtuar që t’i kryej detyrat kushtetuese deri në rezultatet e zgjedhjeve të ardhshme. LDK pati guximin dhe vetëdijen për të dalë në ballë të proceseve të mëdha, në kohët më të vështira, prandaj jam shumë i sigurt që në zgjedhjet e ardhshme në bashkëpunim me të gjitha strukturat elektorati i LDK-së do të angazhohet për rezultatin më të suksesshëm. Nga këto zgjedhje LDK do të del edhe më e fuqishme, duke e respektuar votën dhe vullnetin qytetar”, tha ai.
Partia Demokratike e Kosovës preferon zgjedhje në fund të muajit janar, këtë e theksoi nënkryetari i kësaj partie Memli Krasniqi, pas përfundimit të takimit.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk ka shprehur publikisht asnjë preference. Nënkryetar i AAK-së, Ahmet Isufi, ka deklaruar se duhet marrë dhe mendimi i Institutit të Shëndetësisë për shkak të situatës së pandemisë. Krahas datës së zgjedhjeve kanë nisur dhe diskutimet për koalicionet e mundshme para zgjedhore.
Konsultimet do të vazhdojnë edhe gjatë të mërkurës me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend.