Tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe pandemia Covid-19 këtë vit krijuan veç të tjerash traume në ekonominë e vendit.
E përfshirë në panik, por edhe nga humbja e vendeve të punës popullata e uli konsumin gjatë vitit 2020. Sipas të dhënave të INSTAT Shqiptarët kanë konsumuar 31 miliardë lekë më pak (252 mln euro) mallra dhe shërbime gjatë 9 mujorit të këtij viti në raport me të njëjtën periudhe të një viti më parë.
Dobësitë në konsum u shfaqen më së shumti në tremujorin e dytë dhe të tretë të vitit, kur nisi pandemia dhe bashkë më të edhe masat kufizuese.
Nga të dhënat shihet së rënia ma e madhe ishte në tremujorin e dytë të vitit, ku konsumi ishte 23 miliardë lekë (189 mln euro) më i ulët se e njëjta periudhe e një viti më parë. Kjo periudhë përkon me masat e ashpra të karantinës së parë ku u pezullua tërësisht lëvizja dhe aktivitetet i njësive tregtare përgjatë prillit dhe 20 ditëshit të parë të majit.
Në tremujorin e tretë rënia ishte disi më e bute me rreth 11.8 miliardë lekë (92 mln euro). Ekonomia u hap, por konsumi nuk u kthye në nivele normale për shkak të rënies së numrit të vizitoreve të huaj dhe rritjes së papunësisë nga pandemia.
Gjatë këtij viti konsumi u rrit vetëm në tremujorin e parë të vitit me rreth 3.5 miliardë lekë ose 31 milionë euro, edhe pasi vendi ishte nën traumën e tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Të dhënat e tregtisë me pakicë tregojnë se përgjatë gjithë vitit 2020 konsumi ka qenë i përqendruar në produktet jetikë. Në të tre tremujorët grupi i produkteve ushqimore ka pësuar rritje, ndërsa në tremujorin e dytë dhe të tretë shitjet u rriten më shumë se një vit më parë për produktet e teknologjisë ushqimeve dhe produkteve farmaceutike.
Në prill -qershor, kur vendi ishte në karantinë totale në pjesën më të madhe të periudhës, ushqimet dhe pajisjet informatike pësuan rritje të lartë. Izolimi në shtëpi dhe puna në distancë rriten kërkesën për kompjutera dhe pajisje informatike në tremujorin e dytë.
Me daljen nga karantina e parë, në periudhë janar-qershor, konsumi u udhëhoq nga përqendrimi i blerjeve në ushqime dhe produkte farmaceutike, për shkak të përkeqësimit të situatës pandemike.
Konsumi final i familjeve llogarit të gjitha mallrat dhe shërbimet që përdoren direkt për të plotësuar kërkesat individuale të familjeve rezidente.
Konsumi gjithashtu është një nga komponentët kryesorë të Prodhimit të Brendshëm në vendin tonë.