Gjashtë muajt e presidencës gjermane e gjetën në një kohë tronditëse BE. Ministri i Jashtëm, Heiko Maas në bilancin e tij për Deutsche Welle, ndër të tjera, vlerëson vendet e Ballkanit për progresin e madh në vitet e fundit.
DW: Miratimi i buxhetit të ri dhe ndihmave miliardëshe për Coronën megjithë dallimet e debatet ishte sukses i presidencës gjermane të BE. Por për çështjen e vaksinimit, shumë europianë pyesin se pse zgjat kaq shumë procesi dhe kanë ndjesinë, se janë të fundit në radhë por çdo ditë që kalon do të thotë një ditë e humbur, ku rrezikohen jetë njerëzish. Po e pranoni këtë si rrezik?
Bëhet fjalë për të dyja: shpejtësi dhe kujdes. Për të tejkaluar pandeminë duhet që në vitin 2021 të ofrojmë vaksinën sa më gjerësisht. Për këtë do të ketë vaksina të ndryshme me veti të ndryshme për sa i përket transportit dhe magazinimit. Landet kanë krijuar qendra rajonale vaksinimi, aty do të dërgohet vaksina. Më 27 dhjetor mund të fillojmë me vaksinimin, fillimisht në shtëpitë e përkujdesjes, tek njerëzit nga mosha 80 vjeç dhe tek personeli mjekësor i caktuar.