Sot në Kuvendin e Kosovës po mbahet një seancë e jashtëzakonshme, ku pritet të votohet për ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit 2021. Ministrja e Financave dhe Tranfereve, Hykmete Bajrami, ka thënë se për vitin 2021 presin që të ketë rritje ekonomike prej 5.2 për qind. Bajrami bëri me dije se të ardhurat do të jenë rreth 1.9 miliard euro.
Ministrja e Financave dhe Tranfereve, Hykmete Bajrami, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës kërkoi nga deputetët që të votojnë Projekt Buxhetin e vitit 2021.
Bajrami ka thënë se për vitin 2021 presin që të ketë rritje ekonomike prej 5.2 për qind.
Ajo u shpreh se Projekt Buxheti ka dy prioritete, përballjen me pandeminë dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje.
“Ky Projekt Buxhet tani po kërkohet të votohet në mënyrë që të mos bllokohen institucionet e vendit, në mënyrë që jeta të vazhdoj edhe pse kemi hyrë në fushatë elektorale. Projekt Buxheti trajton dy prioritete, përballjen me pandeminë dhe krijimin e kushteve për rimëkëmbje. Për sa muaj që do të jemi në detyrë kjo duhet të lejohet sepse është në interes të qytetarëve”, ka deklaruar ajo.
Bajrami tha tutje se të hyrat e parashikuara për vitin 2021 do të jenë 1.9 miliardë, ndërsa shpenzimet rreth 2.5 miliardë.
“Edhe pse në kushte të vështira për të parashikuar atë që do të ndodhë, ne jemi munduar që bashkë me Fondin Monetar Ndërkombëtarë dhe Bankën Botërore të japim disa shifra të përafërta për të paraparë se cila do të jetë rritja ekonomike për vitin 2021. Në vitin 2021 ne kemi paraparë që do kemi rritje ekonomike prej 5.2. Ky buxhet është një nga instrumentet kyçe që të arrijmë të sigurojmë këtë rikthim. Të hyrat i kemi parashikuar të jenë 1.9 miliardë euro dhe shpenzimet 2 miliard e 412 milionë euro”, shtoi ajo.
Ajo ka shtuar se për rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia COVID-19, janë paraparë të ndahen 182.4 milionë euro.
“Është paraparë Fondi i Rimëkëmbjes Ekonomike të jetë 182.4 milionë euro. Sektori i shëndetësisë gjatë vitit 2021 do të jetë me buxhet me të lartë. Miratimi i këtij buxheti, do të dërgoj sinjal te komuniteti i biznesit dhe në masë të madhe pasigurinë në ekonomi, e cila mund të shfaqet pas shpërndarjes së kësaj legjislature”, tha ajo.
Qeveria e kishte bartur Projektligjin për Buxhetin 2021 në Kuvend, por nuk është votuar ende. E shpërndarja e Kuvendit rrezikon ta lërë Kosovën edhe pa buxhet në muajin mars. Në momentin kur shpërndahet Kuvendi ose puna e tij pezullohet, të gjitha nismat ligjore u kthehen sponsoruesve përfshirë edhe Projektligjin për Buxhetin dhe marrëveshjet financiare ndërkombëtare.
Sipas projektimeve, buxheti për vitin 2021 pritet të jetë mbi 2 miliardë e 412 milionë euro.
Gjithsej të hyrat buxhetore do të janë 1 miliard e 886 milionë euro, nga të cilat 1.66 miliard euro do të janë nga të hyrat tatimore, ku pjesën më të madhe të tyre e bëjnë tatimet indirekte me 1.41 miliard euro.
Nga të hyrat, prej Administratës Tatimore priten të grumbullohen 509 milionë euro, kurse nga Dogana e Kosovës do të inkasohen 1 miliard e 169 milionë euro.
Prej gjithsej shpenzimet buxhetore, 643 milionë euro janë për subvencione dhe transfere, 625 milionë euro janë paga dhe shtesa, rreth 311 milionë euro janë për mallra dhe shërbime, kurse 34 milionë euro janë rezerva. Në këtë pjesë të shpenzimeve, 182.4 milionë euro janë paraparë të shpenzohen në kuadër të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike.
Sipas Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, në mungesë të një Ligji për Ndarjet Buxhetore do të vlenin vetëm për dy muajt e parë të vitit 2021 nëse zgjedhjet e përgjithshme për deputetët e Kuvendit janë mbajtur më pak se katër muaj para fillimit të vitit përkatës fiskal duke siguruar një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është e barabartë me 16.67 për qind të ndarjes buxhetore nga Ligji i Ndarjeve Buxhetore të vitit 2020.
Pas kësaj periudhe vetëm Kuvendi, me anë të një vendimi, mund të autorizojë zgjatjen e Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal edhe për muajin mars.
Ligji për Ndarjet Buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të zgjatet për më shumë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiscal.
Marrë nga Monitor.al