Kosova ka siguruar 500 000 vaksina anti COVID nga Pfizer. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se konfirmimin për sigurimin e këtyre vaksinave ua kanë dhënë përfaqësuesit e Pfizer gjatë një takimi virtual të mbajtur sot me ta.
“Siç e kemi bërë të ditur edhe më herët, MSh ka qenë e angazhuar prej muajsh në shumë drejtime për sigurimin e vaksinës kundër COVID-19, me qëllim të përmbushjes së obligimeve që kemi ndaj qytetarëve dhe ruajtjes së shëndetit publik të tyre. Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë mbesin të përkushtuara që qytetarëve tanë t’u sigurojmë mbrojtje përmes vaksinimit gjithëpërfshirës kundër Covid-19”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se krahas kësaj, Kosova do të marrë nga mekanizimi Covax edhe 360 000 vaksina falas për 20 për qind të popullatës.
“Vaksina do të sigurohen për të gjitha grupet e popullatës që duhet të mbulohen me vaksinim sipas projeksioneve të IKSHPK-së. Vaksina kundër COVID-19, do t’u jepet falas qytetarëve të vendit tonë”, ka thënë ai.