Të tjera detaje janë zbardhur nga vrasja e katërvishtë e ndodhur në në fshatin Pozheran të Komunës së Vitisë, rreth një javë më parë, ku një burrë ka vrarë gruan dhe dy djemtë e tij, pastaj veten.
Burime për gazetën Express brenda Prokurorisë në Gjilan bëjnë të ditur se së pari burri vrau gruan e tij, ku me një plumb e rrëzoi në tokë dhe më pas e goditi edhe 7 herë të tjera.
Pas gruas, fëmijët u vranë me nga një plumb tek dera e dhomës ku u vra nëna e tyre. Të njëjtat burime thonë se pasi vrau gruan dhe fëmijët, ai doli jashtë dhe qëlloi vetën me plumb në fyt.
Arsyeja e ngjarjes së rëndë është një konflikt që kishin pasur çifti bashkëshortor në Zvicër, ku ata kishin jetuar. Po ashtu, çifti kishin hapur edhe proces të divorcit. Kur kishin ardhur nga Zvicra, djemtë dhe nëna kishin qëndruar në shtëpinë që kishin ndërtuar me paratë e tyre, pa kontributin e babait dhe nuk kishin dashur praninë e tij në këtë shtëpi.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 30 dhjetorit, në fshatin Pozhoran të Komunës së Vitisë. Fetah Zuka ka vrarë me armë zjarri familjen e tij gruaja Makfire Zukan dhe dy djemtë Arbër dhe Hamdi Zuka dhe më pas veten.