Kroaci- Pikërisht në mesin e pandemisë së Coronës, Kroacia u godit nga tërmeti që shkaktoi shtatë viktima, mjaft të lënduar dhe dëme materiale. Klinika kroate “Dubrava” po punon tani në kushtet e një situate të jashtëzakonshme.
Një tërmet i fortë e tronditi Kroacinë e mesme pikërisht në kohën e krishtlindjeve dhe masave kufizuese, kundër pandemisë së Coronës. Vala e dytë e pandemisë e ka goditur rëndë Kroacinë. Masat e rrepta ishin të detyrueshme për të ulur numrin alarmant në rritje të infektimeve dhe vdekjeve. Por për shkak të tërmetit ato u desh të shfuqizoheshin brenda natës.
Një numër pacientësh u desh të zhvendoseshin nga spitalet e shkatërruara nga tërmeti dhe u sollën në kryeqytetin Zagreb. Disa prej tyre janë shtruar në klinikën “Dubrava”, që në fillim të pandemisë u kthye në klinikë speciale për Covidin. Drejtori i Klinikës “Dubrava”, Ivica Lukšić, thotë kjo nuk është gjendje normale. “Askush nga ne në sistemin shëndetësor nuk i njeh situata si kjo që po kalojmë tani. Tek ne po vdesin shumë më tepër njerëz, se normalisht.”
“Ndjesia e dështimit”
Kjo situatë po i rëndon shumë mjekët e rinj, thotë mjeku me përvojë. “Tek mjekët dhe infermierët, që kanë pak përvojë me punën në spitale, kjo vdekje e vazhdueshme krijon një ndjesi të pasigurisë, dhe një ndjenjë përgjegjësie. Ata pyesin veten: a mund të bënim më shumë? A bëmë gjithçka, që ishte në fuqinë tonë? E kjo krijon ndjesinë e dështimit.”
Të gjithë punonjësit e e pavionit të Covidit janë të mbuluar nga koka në këmbë me veshje mbrojtëse, e gjithë fytyra, madje edhe sytë. Pacientët mund t’i dallojnë vetëm nga emri në përparëse. Ata punojnë në turne katërorëshe, pushimin e bëjnë në spital, një situatë shumë e lodhshme, thotë një infermiere. “Psikikisht por edhe nga ana fizike. Nëse je në pikun e punë, pra je i “nxehur” nuk mendon për lodhjen.”/DW