Shqiptarët më shumë se kushdo popullsi tjetër në rajon dhe Europë e ka më të pamundur të paguajë faturat e produkteve dhe shërbimeve bazike.
Sipas barometrit të Ballkanit 2020, në vitin 2019 gjysma e shqiptarëve janë shprehur se nuk mund të përballojnë ngrohjen dhe ftohjen, pra nuk ngrohen dhe freskohen mjaftueshëm sipas stinëve respektive.
Të dhënat tregojnë se pak më shumë se një e katërta e shqiptarëve nuk kanë mundësi financiare për të paguar ujë, energji elektrike dhe qira. Në fakt, gjetjet tregojnë se shqiptarët janë njerëzit me paaftësinë më të madhe për të paguar faturat e tyre mujore, si dhe për të siguruar ushqim, ose për të marrë pushim nga puna.
Në vitin 2019, 26% e shqiptarëve nuk ishin në gjendje të plotësonin koston e faturave të tyre të ujit dhe energjisë elektrike. Kjo ishte më e larta në rajon me të paktën 6 pikë përqindje. 10% e boshnjakëve, 19% e kosovarëve, 20% e maqedonasve, 19% e malazezëve dhe 17% e serbëve nuk ishin në gjendje të paguanin për të njëjtat produkte dhe shërbime.
16% të tjerë nuk ishin në gjendje të bënin ripagimet e huasë, përsëri më e larta në rajon. Rreth 50% thanë se nuk ishin në gjendje të përballonin ngrohjen ose ftohjen e shtëpive të tyre. Kjo ishte dukshëm më e lartë se mesatarja rajonale prej 15%.
Kurse përsa i përket Bashkimit Europian, në vitin 2019, 6.9% e popullsisë së tij, thanë në një sondazh të ngjashëm me Barometrin e Ballknit se nuk kishin mundësi të ngrohnin shtëpinë e tyre sa duhet. Kjo pjesë arriti kulmin në vitin 2012 (10.8%) dhe ka rënë vazhdimisht në vitet pasuese.
Të dhënat i ka publikuar EUROSTAT.
Situata në Shtetet Anëtare të BE-së ndryshon. Pjesa më e madhe e njerëzve që thanë se nuk kishin mundësi të mbanin shtëpinë e tyre në mënyrë adekuate të ngrohtë u regjistrua në Bullgari (30.1%), pasuar nga Lituania (26.7%), Qipro (21.0%), Portugalia (18.9%), Greqia (17.9) %) dhe Italia (11.1%).
Nga ana tjetër, përqindjet më të ulëta (rreth 2%) u regjistruan në Finlandë, Austri, Suedi, Slloveni, Luksemburg, Estoni dhe Gjermani.
Marrë nga Gazeta “Si”