Presidenti i zgjedhur Joe Biden i kushtoi një tjetër konferencë për shtyp nga Delawere protestave të dhunshme në Washington, ku mbështetës të presidentit Donald Trump hynë me forcë në selinë e Kongresit.
Biden e konsideroi ditën e djeshme një nga “më të errëtat në historinë e kombit” dhe një “sulm ndaj fortesës së lirisë dhe demokracisë. Ai shtoi më tej duke i cilësuar protestuesit si terroristë.
“Ata që kishin hyrë mbrëmë në Kapitol nuk ishte protestues, por një turmë e dhunshme dhe terroristë të brendshëm”, u shpreh Biden.
Gjithashtu, presidenti i zgjedhur, që pritet të marrë zyrtarisht detyrën më 20 janar, nuk kurseu as kritikat ndaj forcave të policisë, për të cilat tha se nëse protestuesit do të ishin pjesë e lëvizjes “Black Lives Matters”, reagimi i tyre do të ishte ndryshe.