TIRANË– Normat e shfrytëzimit të kapaciteteve në ekonominë shqiptare ngelën të ulëta edhe në tremujorin e katërt të vitit të kaluar.
Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, ato qëndruan në intervalin me 64% dhe 74%, në varësi të sektorëve dhe në përgjithësi poshtë niveleve të një viti më parë.
Në sektorin e industrisë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi 72%, nivel ky më i ulët krahasuar me një vit më parë, por edhe poshtë mesatares historike të sektorit. Bizneset e këtij sektori shfaqën pesimizëm në pritjet e tyre për prodhimin dhe punësimin në tremujorin e parë të këtij viti, shenjë se efekti i pandemisë pritet të jetë ende i lartë në aktivitetin prodhues në vend.
Ndërtimi në vlera krahasuese me sektorët e tjerë ka shkallën më të ulët të shfrytëzimit të kapaciteteve, me 64.5%. Megjithatë, shfrytëzimi i kapaciteteve në këtë sektor paraqitet më i lartë krahasuar me një vit më parë. Njëkohësisht, ky është i vetmi sektor që paraqitet sipër mesatares historike në këtë tregues, çka tregon se është prekur më pak nga zhvillimet negative të tremujorëve të fundit.
Shërbimet dhe tregtia kanë nivele më të lartë të shfrytëzimit të kapaciteteve, por me një ecuri më të dobët krahasuar me tendencën e tyre afatgjatë.
Në shërbime, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi 72.2%, vlerë kjo pesë pikë më e ulët krahasuar me nivelin e shënuar një vit më parë dhe gjithashtu më e ulët se mesatarja historike përkatëse. Edhe bizneset në sektorin e shërbimeve presin rënie të kërkesës në tremujorin e parë 2021.
Në sektorin e tregtisë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi 73.7%, në nivele të ngjashme me tremujorin e mëparshëm dhe në përmirësim të lehtë krahasuar me një vit më parë. Sidoqoftë, edhe në këtë sektor shfrytëzimi i kapaciteteve qëndron poshtë vlerave mesatare historike.
Vrojtimet për shfrytëzimin e kapaciteteve prodhuese përgjithësisht konfirmojnë ecurinë e negative të ekonomisë shqiptare, duke filluar nga tremujori i fundit i vitit 2020. Kjo rënie kaloi kufirin e 10% në tremujorin e dytë 2020, ndërsa u reduktua në nivelin e rreth 3.5% në tremujorin pasardhës. Rënia ekonomike për katër tremujorë radhazi ka thelluar hendekun negativ të prodhimit, duke shtuar kapacitetet e pashfrytëzuara të sipërmarrjes./E.Shehu
Burimi: BSH