– Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko ka deklaruar se ndikimet negative në ekonomi pritet të jenë afatshkurtra dhe kthimi duhet të jetë i shpejtë nëse situata me vaksinimin ndaj COVID-19 shkon drejt normalizimit.
Sejko ka marrë pjesë në forumin për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të organizuar nga ”Euromoney”me fokus mbi pandeminë dhe masat e marra për të mbështetur financiarisht bizneset dhe qytetarët.
Në fjalën e tij guvernatori u shpreh se sektori bankar ka pasur një barrë të madhe në gjithë vitin 2020, dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në kapërcimin e sfidave ekonomike.l
Sipas tij, shtyrja e pagesave të kësteve të kredisë, heqja e tarifave të transaksioneve apo edhe ulja e normës bazë të interesit kanë ndikuar pozitivisht në kapërcimin sa më të shpejtë të situatës.
“Ky sektor iu përgjigj pozitivisht dhe në mënyrë aktive vendimit për shtyrjen e pagimit të kësteve të kredisë për kategori të caktuara huamarrësish dhe ristrukturimit të kredive për kategori të tjera, e cila ka zhvendosur një pjesë të barrës financiare të krizës në bilancet e këtij sektori. Ndërkohë, rritja e kreditimit ka vazhduar dhe ka ndihmuar me likuiditet bizneset dhe familjet në vështirësi të përkohshme, si dhe ka mbështetur vijimin e investimeve”, ka thënë guvernatori.