GREQI-Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka folur në lidhje me marrëdhënien e vendit me Turqinë. Në një intervistë për mediat portugeze, ai ka thënë se mesazhi që Turqia do të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe do të afrohet me Evropën, është e mirëpritur për Greqinë.
Sipas tij, problemi midis dy vendeve është mosmarrëveshja për shelfin kontinental dhe zonat ekskluzive ekonomike në Egje dhe Mesdheun Lindor. Po ashtu, ai vuri në dukje se nuk është një çështje e vështirë për t’u zgjidhur, pasi Greqia e ka zgjidhur një problem të till me Italinë dhe Egjiptin, po në këtë mënyrë do e zgjidhë dhe me Shqipërinë. Në rast se të dy vendet nuk arrijnë një marrëveshje, ata do të shkojnë në Hagë për t’i zgjidhur ato.
Megjithatë, Ministri i Jashtëm vuri në dukje se ka një problem të madh me Turqinë , ajo nuk pranon kornizën ligjore të referencës, të drejtën ndërkombëtare dhe ligjin e detit. Në veçanti, ai iu referua Konventës së KB mbi Ligjin e Detit (UNCLOS), duke theksuar se ajo është pjesë e ligjeve evropiane.
“BE ka nënshkruar Konventën në tërësi dhe jo secilin shtet veç e veç. Prandaj, nëse Turqia pranon të flasë me ne dhe, në rast mosmarrëveshjeje, të apelojë në Hagë dhe të përdorë ligjin ndërkombëtar si referencë, atëherë (gjëja) do të jetë e lehtë. Është e qartë se nëse Turqia përpiqet ta zgjidhë këtë duke përdorur terma të tillë si drejtësia, kjo na bën të theksojmë se Turqia dëshiron të interpretojë gjërat dhe nën këtë interpretim, një kërcënim lufte ndaj nesh nëse ushtrojmë të drejtën tonë ligjore për të zgjatur ujërat territoriale. Në këtë rast, çështja është e pamundur të zgjidhet,”-ka thënë ai.
Turqia dhe Greqia do të vazhdojnë bisedimet e tyre në 25 janar në lidhje me zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi të drejtat e kërkimeve. Athina akuzon Ankaranë për eksplorimin e rezervave të gazit në territorin detar që i përket Greqisë. Ndërsa nga ana tjetër Ankaraja thotë se territori i përket Turqisë. Ndërkohë, është folur dhe për një ndërmjetësim nga ana e kryeministrit Edi Rama, ku ministri i jashtëm turk Mevlüt Çavuşoğlu, ka konfirmuar se ky i fundit ka propozuar që të takohet me homologun grek Nikos Dendias në Tiranë. Po ashtu është diskutuar dhe për një takim Erdogan-Mitsotakis, por si fillim me shumë mundësi do të jenë ministrat e jashtëm që do ulen në dialog këtë janar.