Greqi- Në parlamentin grek është miratuar me shumicë votash mbrëmjen e së mërkurës, projektligji për zgjerimin e detit territorial me 12 milje në Jon. Projektligji u votua me 284 vota “pro”, nga 300 ulëse që ka parlamenti gjithsej duke i hapur kështu dritën jeshile zgjerimit territorial në Kretë dhe zona të tjera.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka akuzuar paraardhësin e tij Alexis Tsipras, si të fjetur e të përhumbur, ndërsa ka kërkuar shpjegime se pse zgjerimi nuk u bë “për kaq shumë vjet”.
Kreu i ekzekutivit në Greqi kërkoi sqarime nga Tsipras lidhur me atë që ndodhi në 2018 kur gjithçka mbeti pezull sa i përket zgjerimit të kufijve detarë, sepse Kotzias ishte ai i cili, pak para se të largohej nga detyra, propozoi përmes Dekretit Presidencial zgjerimin e ujërave territoriale, duke pretenduar se kishte bërë përgatitje të rëndësishme për të zbatuar këtë vendim.
Kujtojmë po ashtu se Mitsotakis ka mbajtur një fjalim të fortë gjatë ditës së sotme në Parlamentin duke mbrojtur projektligjin për zgjerimin e ujërave territoriale nga 6 në 12 milje në detin Jon dhe Mesdheun Qendror.
Mitsotakis nga salla e Parlamentit gjatë debatit tha se kanë dyfishuar ujërat territoriale dhe theksoi se tashmë janë “zotër” të Jonit, pasi dominojnë, shkruan abcnews.al.
“Në fillim të 2021 ne ndërmarrim një hap të madh pas vendimit për zgjerimin me 12 milje, është dominimi i detit Jon”, tha kryeministri grek.