Për 9 mujorin e 2020-s, Shqipëria e ka rritur borxhin publik me 13.6 pikë përqindje, (pp) duke e çuar atë në 79.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në fund të shtatorit, nga 63.3% që u mbyll viti 2019, sipas të dhënave nga Ministria e Financave dhe Komisioni Europian.
Me këto ritme të larta, Shqipëria rezulton e gjashta në Europë për ritmet e rritjes së borxhit publik gjatë periudhës së pandemisë, pas Qipros (19.3 pp), Belgjikës (16 pp), Francës (15.9pp), Spanjës (14.7 pp) dhe Italisë (13.6%), sipas të dhënave nga Komisioni Europian dhe Eurostat, të përpunuara nga Monitor.
Edhe në raport me madhësinë e ekonomisë, vendi ynë u rendit i dhjeti në Europë për borxhin dhe i pari në rajon, duke ia kaluar Malit të Zi që deri përpara krizës së Covid kishte huamarrje më të lartë.
Në 9 muajt e krizës, Serbia e ka rritur borxhin me 4.9 pikë përqindje, Maqedonia e Veriut me 11.5 pp, Mali i Zi me 1.6pp, Bosnja me 5.5pp dhe Kosova me 2.4pp.
Por, ndonëse Shqipëria e ka rritur për të njëjtën periudhë borxhin me 13.6 pikë përqindje, më shumë se gjithë rajoni, mbështetja direkte dhe indirekte që ka dhënë qeveria shqiptare për ekonominë ka qenë më e ulëta. Sipas të dhënave të publikuara më herët nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, mbështetja direkte buxhetore e Shqipërisë është 1.2% e PBB-së, më e ulëta në rajon (4.3% e PBB-së është mesatarja e Ballkanit Perëndimor) dhe Europë.
Edhe për mbështetjen totale (direkte dhe indirekte nga buxheti), Shqipëria sërish renditet e fundit në rajon dhe Europë, me 2.9% të PBB-së.
FMN thotë në raportin e fundit se duke pasur parasysh borxhin e lartë publik të Shqipërisë, paketat mbështetëse për të përballuar situatën e Covid-19 ishin më të ulëta se ato të vendeve në zhvillim dhe Ballkanit perëndimor.
Për çfarë u përdor borxhi?!
Rritja e fortë e borxhit erdhi për shkak të emetimit të eurobondit në qershor 2020 prej 650 milionë euro, nga e cila 200 milionë euro ishte rifinancim dhe pjesa tjetër për mbështetje buxhetore. Rreth 400 milionë euro kishin qëllim të përdoreshin pikërisht për mbështetje buxhetore, me qëllim mbulimin e deficitit buxhetor. Pandemia krijoi një thellim drastik të deficitit buxhetor, sidomos për shkak të të ardhurave të munguara. Në 11 muajt e këtij viti, qeveria shqiptare arkëtoi rreth 310 milionë euro më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në kuadrin e ri makro parashikohet që deficiti buxhetor për vitin 2020 të arrijë në 6.7% të PBB-së.
Ndërkohë borxhi raportohet bruto, dhe një pjesë e eurobondit nuk është përdorur ende, duke mbetur e disponueshme në llogarinë e thesarit për të financuar deficitin e vitit 2021, pasi qeveria mori më shumë borxh sesa i duhej për vitin 2020.
Rënia e PBB-së është një tjetër arsye që ka ndikuar në rritjen e treguesit të borxhit publik ndaj PBB-së. Për 9 mujorin, ekonomia ka rënë me 5.5%, sipas INSTAT, çka e ka ulur PBB-në me rreth 750 mln euro në krahasim me fundin e 2019-s.