Vrasja e Albert Krasniqit, nga babai i tij, Skënder Krasniqi ka tronditur Prishtinën pasditen e sotme. Biznesmeni i ndërtimit, Skënder Krasniqi ka qëlluar me armë zjarri të birin, Albert Krasniqi duke i marrë jetën, ndërsa më pas ka njoftuar vetë Policinë e Shtetit, në mënyrë që ta prangosnin.
“Ejani se e vrava djalin,”–kaq ka thënë biznesmeni në telefon me Policinë, duke iu dorëzuar uniformave blu të Prishtinës. Arma me të cilën dyshohet se ka kryer krimin është sekuestruar dhe aktualisht po merret në pyetje lidhur me motivin e ngjarjes. Paraprakisht, bazuar në burime pranë Policisë, mediat vendase bëjnë me dije se dyshohet për një sherr në familje.
Dyshohet se viktima ka pasur probleme familjare dhe ka kërcënuar prej disa ditëve familjarët e tij për t’i plotësuar disa kushte, por ende nuk dihen detaje për çfarë bëhet fjalë konkretisht.
Albert Krasniqi ishte i martuar me ish-missin e Kosovës Besa Gashi, me të cilën ka edhe një vajzë, por së fundmi i kishin dhënë fund martesës së tyre disa vjeçare për shkak të problemeve. Krasniqi ka qënë i njohur edhe për mediat shqiptare, pasi është personi që qëlloi në vithe me armë zjarri reperin Noizy, para një hoteli në Prishtinë, plot 5 vite më parë. Albert Krasniqi njihej për shoqërinë e ngushtë me këngëtarët e grupit ‘Babastars’.