GREQI– Një dëshmi e re ka mbërritur në zyrat e emisionit grek “Dritë në Tunel” , lidhur me zhdukjen e 19- vjeçares shqiptare Artemis Vasili. Një dëshmitar i cili bisedoi me drejtuesen e emisionit, pretendon se ai e pa Artemisin pak para se të zhdukej.
Shoqja e ngushtë e Artemisit, e zhdukur nga Koropi raporton për një incident të ndodhur në Korrik që mund të ketë lidhje me zhdukjen e saj, sipas mediave greke.
“Një ditë në verë, prindërit e saj po e kërkonin sepse ajo mungonte me orë të tëra. Ajo më kishte thënë se do të shkonte vetëm në Varkizë për të notuar. Unë nuk e besova, megjithatë ka shumë skenarë që kalojnë nëpër mendjen time. Kam frikë se i ka ndodhur diçka e keqe”,- tha shoqja e saj.
Miq të tjerë të Artemisit thonë se zona e Varkizës duhet të eksplorohet sepse ajo shkonte atje dhe qetësohej. Ditën kur ajo u zhduk, ajo u pa duke pritur në stacionin e dytë të Atikës në Koropi. Nga atje kalojnë autobusët që përfundojnë në Glyfada dhe Vari.
Artemis Vasilis u largua nga shtëpia më 16 Tetor. Familjarëve u tha se do shkonte për të dhënë një intervistë pune në një dyqan lodrash të njohur në Koropi, por sipas hetimit të policisë, Artemis kurrë nuk shkoi në “Jumbo”. Sipas familjes së saj, Artemis kishte takuar një 24-vjeçar që kishte njohur përmes Facebook, por vetë djali nuk ka pranuar të ketë pasur lidhje me zhdukjen e saj.