Pas vrasjes së Albert Krasniqit, për të cilën dyshohet babai i tij, Skender Krasniqi, Gazeta Sinjali sjell ekskluzivisht detaje të reja, të siguruara nga burimet.
Motra e viktimës ka deklaruar se e gjithë familja ishte në hall me 34-vjeçarin. Madje, deklarata e saj vë në pikëpyetje pohimin e avokatit të Skender Krasniqit, se klienti i tij e ka vrarë të birin në mënyrë aksidentale.
“Ne jemi lodhur nga ai, sepse është duke na keqtrajtuar krejt familjen, në përgjithësi. Dikush nga ne duhej të bëhej kurban për të na shpëtuar. Dhe qe, e mori babën në qafë”.
Një deklaratë tjetër, që vë në pah telashet brenda familjes Krasniqi i ka dhënë dhe xhaxhai i viktimës. Xhaxhai i viktimës ka deklaruar gjithashtu se Albert Krasniqi ka qenë i dhunshëm me gjithë familjen.
“Unë kam ikur një javë në Shqipëri prej tij, sepse nuk na ka lënë të qetë që një kohë të gjatë. Ai ka qenë duke përdorur drogë me të madhe, sa që nuk na ka njohur asnjërin si familje të tij”, ka thënë xhaxhai i Albert Krasniqit, sipas raportit policor.
Marrë nga Gazeta Sinjali