FRANCË-Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka konfirmuar mbështetjen e vendit të tij në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, i cili udhëhiqet nga i dërguarit Special i Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak.
Sipas mediave të Kosovës, pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, Macron ka deklaruar se këto janë bisedime të rëndësishme dhe kanë mbështetjen e Francës.
“Janë bisedime të rëndësishme që udhëhiqen nga Bashkimi Evropian dhe dua edhe një herë të shpreh mbështetjen e Francës për Mirosllav Lajçak”, ka thënë Macron.
Po ashtu, ai ka shtuar se ka biseduar me kryeministrin në detyrë të Kosovës, Avdullah Hoti, në nëntor dhe se do të bisedojë edhe me kryeministrin e ardhshëm pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“Patëm bisedime të besimit të plotë me presidentin Vuçiq sa i përket kësaj teme, dhe dua të përshëndes rrezikun që ka marrë ai disa herë për të propozuar disa zgjidhje që janë inovative. Jam i gatshëm t’i mbështesë ato, zgjidhjen e vetme që do të çonte deri te përparimi në këtë çështje dhe të zgjidhet ajo,”-ka thënë ai.
Ndërkohë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se çështja e Kosovës nuk është e lehtë, por se duhet të punohet të arrihet një marrëveshje e pranueshme për dyja palët.
“Çështja e Kosovës dhe Metohisë është shumë e rëndësishme për ne dhe nuk është fare e lehtë. Të gjithë duhet të punojmë të arrijmë një zgjidhje të pranueshme për dyja palët, që deri më tash nuk ka qenë çështja ashtu. Gjithmonë kam qenë i gatshëm ta dëgjojë presidentin Macron dhe idetë e tij, që të mundohemi t’i afrohemi marrëveshjes”, ka thënë Vuçiç.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka zhvilluar një takimi në Francë me homologun e tij Emmanuel Macron. Më herët është njoftuar se tema e bisedimeve midis dy vendeve është edhe dialogu me Kosovën.