Maqedonia e Veriut të hënën (08 shkurt) nënshkruan marrëveshjen me autoritetet kineze për blerjen e 200 mijë vaksinave kundër koronavirusit të ri, që shkakton sëmundjen COVID-19.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe të shtunën ka bërë të ditur edhe metodologjinë e vaksinimit të popullatës, por pa saktësuar se kur mund të arrijnë dozat e para të vaksinës kineze.
“Dozat e siguruara do të shërbejnë për vaksinimin e 100 mijë personave. Të parët do të vaksinohen punonjësit shëndetësor dhe personat e moshuar mbi 70 vjeç. Pikat e vaksinimit do të funksionojnë me kapacitet maksimal, konkretisht nga 2000 deri në 2500 vaksinime në ditë. Kjo vaksinë është e sigurt sikur edhe të gjitha vaksinat tjera”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë në një konferencë për media në Shkup.