BEOGRAD- Mediat serbe janë në alarm! Një letër e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden për homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç, ku i kërkohet njohja e Kosovës, raportohet se është dërguar nga Uashingtoni. Mediat serbe shkruajnë se Biden ka kërkuar nga Vuçiç, arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes dy vendeve, ku pika kryesore është njohja reciproke. Në letër thuhet se Biden teksa i uron Vuçiç, Ditën e Shtetësisë së Serbisë, ka konfirmuar mbështetjen amerikane për integrimin e Serbisë.
Teksti i plotë i letrës së botuar në media:
I dashur z.President
Në emër të popullit amerikan, uroj ju dhe qytetarët tuaj të festoni Festën Kombëtare të Serbisë më 15 shkurt. Teksa ne po mbushim 140 vite miqësi mes dy vendeve, SHBA ruan angazhimin për të promovuar bashkëpunimin ekonomik, stabilitetin rajonal dhe vlerat demokratike. Ne qendrojmë të vendosur në mbështetjen tonë për Serbinë dhe integrimin evropian, dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të merrni hapa të vështirë për ta arritur, përfshirë reformat e rëndësishme dhe arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Kosovën e fokusuar në njohjen reciproke. Fuqia e marrëdhënies sonë është ndërtuar në një historie mes njerëzve, duke luftuar si aleatë në të dy luftërat Boërore dhe ne festojmë kontributin që serbët kanë në shoqërinë amerikane. Ne po ashtu vlerësojmë bashkëpunimin tonë të ngushtë në përballjen e pandemisë COVID19, dhe përballjen me këtë sfidë të pazakontë globale. Ne shohim përpara të punojmë me ju për të thelluar fijet e miqësisë mes dy vendeve dhe të forcojmë marrëdhënien mes SHBA dhe Serbisë. Ju uroj ju dhe popullit të Serbisë një festim të gëzuar.
Sinqerisht, Joe Biden
Habia sipas mediave në Beograd qëndron në faktin se urime të tilla, janë kryesisht protokollare dhe një mesazh i këtij lloji është dërguar për herë të parë në Serbi, ku theksohet zgjidhja e çështjes me Kosovën. Letrës së Presidentit Biden i është përgjigjur Vuçiç, ku një një konferencë që ka mbajtur ditën e sotme ka thënë se njohja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës, nuk është e shkruar në asnjë akt ndërkombëtar.
Pas letrës që Biden i ka dërguar Vuçiç, ka reaguar edhe Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili në një postim në rrjetet sociale ka thënë se kjo është një dëshmi për lidhjen e veçantë midis Kosovës dhe SHBA-së.