GREQI– Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar në Athinë gjatë mbrëmjes së kaluar. Media greke, Zougla.gr, shkruan se shpërthimi ka ndodhur në zonën e Aspropirgos në nënstacionin qendror që furnizon me energji Athinën, rreth orës 23.00 dhe pothuajse i gjithë kryeqyteti ka mbetur në errësirë.
Shpërthimi i madh i shkaktuar nga një defekt në Qendrën e Tensionit të Lartë të IPTO, ka lënë pa energji elektrike disa qytete në Greqi. Për të shuar zjarrin janë dërguar katër mjete zjarrfikse. Dëmtimi i Qendrës së Tensionit të Lartë Koumoundouros të IPTO shkaktoi probleme serioze në furnizimin me energji elektrike të zonave të mëdha në Atikë dhe Peloponez.
Drejtuesit e IPTO filluan menjëherë operacionin për të rivendosur energjinë elektrike, e cila sipas Ministrit të Mjedisit dhe Energjisë, Costas Skrekas, përfundoi pak pas orës 00.45 të hënën. Nga ana e qytetarëve, kishte edhe thirrje telefonike nga Korinti por edhe nga Kalamata nga ku qytetarët kërkonin të dinin se çfarë ka ndodhur dhe se kur mund tu kthehej enegjia elektrike.