SHQIPËRI– Paga mesatare mujore në Shqipëri në vitin 2019 arriti në 52.382 lekë. Statistikat e detajuara nga rajonet të raportuara nga INSTAT tregojnë se, Qarku i Tiranës ka pagën mesatare mujore më të lartë (59.316 lekë), ndërsa qarqet Lezhë dhe Shkodër kanë pagën më të ulët (afërsisht 41.351 lekë dhe 41.571 lekë).
Krahasuar me mesataren mujore në nivel kombëtar, Qarku i Tiranës ka pagën mesatare mujore më të lartë me 13,2%, ndërsa Qarku i Lezhës ka pagën më të ulët 21,1 %. Meshkujt kanë pagën më të lartë në Qarkun e Tiranës (62.620 lekë) dhe më të ulët në Qarkun e Lezhës (41.395 lekë).
Femrat kanë pagën më të lartë në Qarkun e Tiranës (55.510 lekë) dhe më të ulët në qarkun e Lezhës (41.300 lekë). Në Qarkun e Fierit, meshkujt paguhen më shumë se femrat me rreth 17,8 %, ndërsa në Qarkun e Elbasanit meshkujt paguhen më pak se femrat me -3,7 %. Krahasuar me vitin 2018, paga mesatare mujore bruto gjatë vitit 2019 u rrit me 3,5 %. Qarku i Shkodrës ka rritjen më të madhe të pagave me 5,4 %, ndërsa qarku i Vlorës ka rritjen më të vogël me 2,4 %.
Studimet mbi pagën mesatare mujore bruto tregojnë se Veprimtaritë financiare dhe të sigurimit kanë paga më të larta se sektorët e tjerë. Ky sektor ka pagat më të larta në qarkun e Tiranës dhe më të ulëta në qarkun e Dibrës. Pagat më të ulëta janë në sektorin e Bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit. Në këtë sektor pagat më të ulëta janë në qarkun Tiranë dhe më të larta në qarkun Shkodër. Statistikat e tregut të punës mbi pagat, janë të bazuara në informacionin e të dhënave administrative nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, kontribuesit në Sigurime Shoqërore.
Kriza e shkaktuar në ekonomi nga Covid-19 ka ndikuar në uljen e pagave gjatë vitit 2020. Në tremujorin e tretë të vitit, që ka qenë e dukshme në sektorin privat ndërsa pagat në shtet kanë vijuar rritjen. Sipas iNSTAT, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të tretë 2020, është 52.815 lekë, duke rënë me 2.5% në krahasim me tremujorin e dytë 2020, ndërsa në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë është 1.8% më e lartë.
Dy sektorët që kanë shënuar rënien më të lartë të pagave në tremujorin e tretë të vitit, në raport me të dytin janë “Informacioni dhe komunikacioni”, paga mesatare mujore e të cilit zbriti në 76.7 mijë lekë, nga 84.5 mijë lekë në tremujorin e mëparshëm (-9%). Për sektorin financiar, paga ra nga 117.9 mijë lekë, në 102.6 mijë lekë (-13.3%).
Marrë nga Monitor.al