Qytetarët e Kosovës me të drejtë vote sot i drejtohen kutive të votimit nga ora 07:00 deri në 19:00 për të zgjedhur 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, për legjislaturën e tetë.
Këto janë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku në garën zgjedhore janë 21 parti politike, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.
Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 1 mijë e 52 kandidatë.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit të drejtë vote kanë 1,794,862 qytetarë, ndërsa numri i Qendrave të Votimit në të gjithë Kosovën është 888, me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, është zotuar se do të përmbushin të gjitha detyrimet në funksion të arritjes së një procesi demokratik zgjedhor.
“I ftoj të gjitha subjektet politike dhe të gjithë ata që kanë rol në këto zgjedhje që t’i përmbahen ligjit, rregullave zgjedhore që janë në fuqi”, ishte shprehur ajo.