SARANDË– Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar me titullin e lartë ‘Për merita të veçanta civile’ pas vdekjes Dr.Armand Hysi, një emër i njohur në Sarandë si mbështetës i kauzave sociale.
Në fjalën e tij drejtuar familjarëve, kolegëve dhe intelektualëve të pranishëm në ceremoninë e organizuar në Sarandë, Presidenti Meta u shpreh se Armand Hysi kujtohet nga bashkëqytetarët e tij, si një njeri i rrallë, pedagog i përkushtuar dhe shumë i përgatitur i Universitetit ‘Eqerem Çabej’ në Gjirokastër, i cili i shërbeu arsimit dhe edukimit për vite me radhë.
Kreu i Shtetit theksoi se edhe pse u nda nga jeta në moshë shumë të re, ai ka lënë pas një trashëgimi të pasur, me studime e publikime me influencë në fushën ekonomike, si profesionist i politikave makroekonomike, politikave fiskale dhe buxhetit të shtetit.
“Armand Hysi kujtohet nga bashkëqytetarët e tij, si një njeri i rrallë, pedagog i përkushtuar dhe shumë i përgatitur i Universitetit ‘Eqerem Çabej’ në Gjirokastër, i cili i shërbeu arsimit dhe edukimit për vite me radhë.
Kontributi i tij ka qenë i spikatur jo vetëm në fushën e arsimit, por edhe në politikë, në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor të Sarandës në veçanti, por edhe të Gjirokastrës dhe të jugut në përgjithësi.
Falë pasionit për dijen, punës së tij kërkimore shkencore, vizioneve bashkëkohore dhe hulumtimeve shumë të rëndësishme, Armand Hysi vazhdon të mbetet edhe sot një pikë referimi e rëndësishme për kolegët e tij dhe studentët.
Gjatë karrierës së pasur profesionale edhe si “Doktor i Shkencave” në Financë, ai dha një kontribut të vyer, si në shërbim të sektorit publik, ashtu dhe në fushën e sipërmarrjes, duke punuar kudo me përkushtim dhe me shumë bashkëpunim me qytetarët.
Edhe pse u nda nga jeta në moshë shumë të re, ai ka lënë pas një trashëgimi të pasur, me studime e publikime me influencë në fushën ekonomike, si profesionist i politikave makroekonomike, politikave fiskale dhe buxhetit të shtetit.
Gjithashtu, ai ka lënë pas një emër të nderuar e të vlerësuar nga qytetarët e Sarandës, të Gjirokastrës e jugut në përgjithësi, si një intelektual i rrallë, shumë human, që ndihmonte qytetarët në nevojë dhe që nuk kursehej të mbështeste kauzat sociale të rëndësishme.
Duke vlerësuar të gjithë kontributin e jashtëzakonshëm të Armand Hysi, si intelektual me kurajo e ndershmëri të spikatur, si dhe punën e tij shumëvjeçare si pedagog e kërkues shkencor, e vlerësoj me Titullin e lartë ‘Për merita të veçanta civile’”, deklaroi Meta.