Mal i Zi- Instituti i Shëndetit Publik në Mal të Zi mori konfirmimin nga laboratori gjerman Charite në Berlin se në mostrat e dërguara atje ishte identifikuar varianti britanik i COVID-19.
“Përmes mbështetjes së Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 40 mostra u dërguan për analizë në laboratorin e Berlinit dhe të dhënat tregojnë për praninë e variantit britanik të virusit”, thuhet në njoftimin e autoriteteve shëndetësore të Malit të Zi.
Të dhënat Institutit për 24 orët e fundit, dëshmojnë një përkeqësim të situatës, me një rritje të rasteve të reja dhe shifra të larta të viktimave.Të martën u njoftua edhe për 476 raste të reja me koronavirus dhe 11 viktima.
Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, në pranverë të vitit të kaluar, Mali i Zi ka konfirmuar mbi 69,770 raste me koronavirus. Prej tyre 910 pacientë kanë vdekur.
Ndërkohë në Mal të Zi po vazhdojnë bisedimet brenda nismës Covax, në mënyrë që qytetarët të kenë në dispozicion vaksina për imunizim kundër COVID-19, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Shëndetit në Mal të Zi.
Zëvendës Kryeministri Dritan Abazoviq tha se këto ditë Serbia do të dhurojë një sasi të konsiderueshme vaksinash për qytetarët e Malit të Zi.
” Kryeministrja serbe Ana Brnabiq do të ofrojë një dhuratë vaksinash për qytetarët e Malit të Zi. Qeveria malazeze është shumë mirënjohëse për këtë gjest human dhe paraqet një nismë të duhur për një bashkëpunim më të mirë dypalësh, ” tha zoti Abazoviq./ VOA