KOSOVË-Organizata joqeveritare GERMIN përmes vëzhguesve të akredituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është duke vëzhguar procesin e verifikimit të pakove me fletët e votimit të ardhura nga jashtë.
Ndërkohë, sipas Gazeta Express, GERMIN ka thënë se deri në mbrëmje janë kontrolluar 5778 zarfe, ku prej tyre janë aprovuar 4146, ndërsa janë refuzuar 1632.
Mësohet se, prej tyre 37 votues, kanë votuar nga dy herë. Ndërsa, 787 nuk kanë të shënuar periudhën e aplikimit dhe 440 votues nga diaspora sipas këtyre të dhënave ishin refuzuar në këtë periudhë.
KQZ-ja ka konfirmuar ditën e djeshme se gjatë ditëve në vijim do të përfundoj procesi i verifikimit dhe vlerësimit të pakove të ardhura me vota nga diaspora.
Kosova ka përfunduar numërimin e votave për zgjedhjet, pa përfshirë ato të Diasporës ato me kusht për të cilën nuk është përcaktuar datë se kur do të numërohen. Deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje e drejtuar nga Albin Kurti, ka shënuar rekord me 47.85% të votave, ose të konvertuara ndryshe 378.550 vota. Vendin e dytë pas LVV-së, e zë Partia Demokratike e Kosovës, me 17,41 për qind të votave dhe pas saj LDK-ja me 13,08 për qind. Ndërkaq, AAK e Ramush Haradinajt ka marrë 7,43 për qind, ndërsa Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, 2,60 për qind. Edhe Lista Serbe ka fituar mbi 99% të votave në Mitrovicën e Veriut, por kësaj herë ka të zgjedhur edhe nga komunitetet e tjera.