Nga viti 2017 deri në fund të vitit 2020 të katër konsorciumet private, që nëpërmjet kontratave me qeverinë shqiptare detyrohen të mirëmbajnë rrjetin kombëtar rrugor prej 1335 kilometrash, kanë shpenzuar 3,5 miliardë lekë ose 29 milionë euro, sipas të dhënave nga Ministria e Financave të azhurnuara në listën e shpenzimeve për projektet e investimeve publike shih linkun (ttps://www.financa.gov.al/investimet-vjetore/) dhe tabelën në fund.
Qeveria shqiptarë me konsulencën e donatorëve autorizoi shërbimin e mirëmbajtjes së rrjetit rrugor tek kompanitë private në vitin 2015.
Për këtë qëllim një fond i përbashkët prej 128, 4 milionë eurosh u vu në dispozicion nga donatorët dhe qeveria. Banka Botërore kontribuoi në këtë projekt një shumë prej 62,2 milionë eurosh.
Kontratat hynë në fuqi në vitin 2015, por zbatimi i tyre nisi me vonesë për shkak të problematikave që u shfaqen kur privatet morën në dorëzim shërbimin. Situata në rrugë sipas kompanive kontraktore ishte më e rënduar se sa ishte paraqitur nga qeveria. Procesi kërkoi rishikim dhe tashmë afati final për përfundimin e tyre është në vitin 2021.
Nga situacioni i disbursimeve buxhetore shihet se deri me tani kompanitë e mirëmbajtjes kanë marrë vetëm 1 të pestën e fondit total në dispozicion. Banka Botërore ne web-in e saj, ne të cilin raporton periodikisht për ecurinë e disbursimit raporton se deri në fund të vitit 2020 ishin disbursuar 49 milionë dollarë nga kredia teksa mbeten të pasdibursuara edhe 26 milionë dollarë të tjera.
Nga 2015-2019 rrugët në gjendje të mirë përgjysmohen
Në vitin 2015, pas një inventari në rrjetin Kombëtar të Rrugëve, u vlerësuan me status në gjendje të mirë 1200 kilometër. Por një rikontroll tjetër në vitin 2019 nga Autoriteti Rrugor Shqiptar vlerësoi se, vetëm 572 kilometër rrugë të Rrjetit Kombëtar në gjendje të mirë edhe pse tashmë kontratat e mirëmbajtjes ishin në fuqi.
Sipas auditit të ARRSH-së, rrugët në gjendje të mirë janë pakësuar me 52 për qind ose 628 kilometër në katër vite. Ndërsa operatorët që menaxhojnë kontratat e mirëmbajtjes me përformancë të mbështetura nga Banka Botërore kanë raportuar se fondi i rrugëve kombëtare në gjendje të mirë është vetëm 810 kilometër.
Qeveria kishte marrë angazhimin që në vitin 2019 fondi i rrjetit kombëtar të rrugëve në gjendje të mirë të arrite në 1382 kilometër, me 182 kilometër më shumë se më 2015, mirëpo situata ka shkuar në të kundërtën. Jo vetëm që nuk është shtuar as kilometër e re, por përkundrazi është shkatërruar gjysma e rrugëve në gjendje të mirë.
Më i dëmtuar paraqitet aksi Elbasan – Skurraj – Peshkopi, me gjatësi 117 kilometra. Të gjitha segmentet e kësaj rruge, që lidh disa qytete të Veriut, janë në gjendje shumë të keqe. Në të njëjtën gjendje është edhe aksi tjetër Elbasan – Cërrik – Gramsh, me gjatësi 41 kilometër që është tërësisht në gjendje të mjerueshme.
E dëmtuar në gati 95% të shtrirjes së saj është edhe rruga Pusi i Mezinit – Sarandë, me gjatësi 121 kilometër, pjesë e aksit kombëtar. Në të njëjtën gjendje është edhe rruga e vjetër Shkodër – Kukës me gjatësi 138 kilometra, e cila është thuajse totalisht e dëmtuar.
Rrjeti rrugor i Shqipërisë, përfshirë rrugët interurbane kryesore, rrugët interurbane dytësore dhe ato urbane përbëhet prej rreth 18.600 km, nga të cilat rreth 1500 kilometër janë akse kombëtarë.
Më 2015 Autoriteti Rrugor Shqiptar inventarizoi rrjetin kombëtar të rrugëve në vend dhe inspektoi cilësinë e tyre nën një projekt të Bankës Botërore, që ka mbështetur me një hua mirëmbajtjen e rrjetit rrugor kombëtar në vend nëpërmjet katër kontratave që menaxhohen nga privatët.
Çfarë synojnë kontratat
Katër kontratat që administrohen nga privatët janë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rreth 1335 kilometër rrugë, ose mesatarisht 350 km secila.
Sipas kontratës me Autoritetin Rrugor Shqiptar të katër kompanitë detyrohen të kryejnë mirëmbajtje periodike, e cila përfshin përmirësime dhe rehabilitim për të rivendosur strukturën e rrugës. Mirëmbajtja gjithashtu duhet të adresojë kushtet e pasigurta të rrugës.
Mirëmbajtja rutinë synon ruajtjen e aseteve të rrugës të përcaktuara më parë dhe që ka të bëjë me sigurinë dhe mirëmbajtjen gjatë dimrit.
Sipas kontratës kompanitë duhet të kryejnë edhe punime emergjentë për dëmet që mund të krijohen nga fatkeqësitë natyrore ose aksidenteve.
Mirëmbajtjen e rrjetit kombëtar të rrugëve menaxhohet nga katër kontrata sipas të dhënave të mëposhtme:
Loti 1 – Kontrata A mbulon Rajonin verior dhe mbulohet nga kompania “BIOLIAP A.T.E.V.E” & b) “GECI LTD”. Kosto e kontratës është 21 milionë euro dhe mbulon mirëmbajtjen e 275 kilometrave në rajonin Shkodër -Kukës.
– Loti 2 – Kontrata B mbulon Rajponin Veri -Lindje, Tiranë-Dibër me 287 kilometër me vlerë 19,2 milionë euro. Edhe kjo kontratë menaxhohet nga konsorciumi “BIOLIAP A.T.E.V.E” & b) “GECI LTD”.
– Lot3 – Kontrata C në një shumë totale prej 13,531,838 euro mbulon Qendrën / Jug-Lindjen në rajonet Fier, Elbasan dhe Korçë me rreth 350 km. Kjo kontratë mbulohet nga kompania “RAËAFED ALTOROK Contracting EST.
– Loti 4 – Kontrata D me një shumë totale prej 16,543,350 Euro administrohet nga konsorciumi “Elicatechnica Commerce Societa Anonim (Alika ATEE)” dhe “Salillari” Shpk dhe përfshin Rajonin Jugor të Vlorës & Gjirokastrës 419 kilometra./B.Hoxha
Marrë nga Monitor.al