Ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve në vend historikisht janë përballur me vështirësi financiare ku në pjesën më të madhe duhet ndërhyrja e qeverisjes qendrorë për të siguruar vijimin e punës.
Në vitin 2020 situata nuk ndryshoi shumë edhe pse ka një plan për ta rimëkëmbur këtë sektor duke e mbështetur në disa aspekte. Enti Rregullator i Energjisë konstatoi se gjendja e ujësjellësve në disa Bashki ishte aq problematike sa nuk arritën të paguajnë sigurimet shoqërore të stafeve të tyre duke shfaqur mangësi. Në raport sillen në vëmendje të paktën 10 ndërmarrje të tilla.
“Subvencionet e shpërndara për shoqëritë e bashkive të tjera konstatohet se paraqiten me mangësi të theksuara të pagesave të sigurimeve shoqërore të punonjësve të tyre si shoqëritë e bashkive Kavajë, Gjirokastër, Tepelenë, Bulqizë, Patos, Poliçan, Tropojë, Këlcyrë dhe Has” thuhet në raport.
Gjatë vitit të shkuar ujësjellësit u subvencionuan në total me një shumë prej 720 milionë lekësh apo rreth 6 milionë euro por teksa më herët në 2019 fondet e kësaj natyre u përdorën si stimuj për rritjen e performancës këtë herë subvencionet u orientuan tek efektet e pandemisë. Një pjese të mirë të ndërmarrjeve ju desh që të mbulonin hendekun në të ardhura shkaktuar nga situate e përgjithshme e COVID-19. Sipas raportimeve të paktën 21 për qind e subvencioneve u deklaruan se shkuan pikërisht për efektet e pandemisë.
Pjesa tjetër e subvencioneve edhe në këtë rast 21 për qind shkoi për pagesën e energjisë elektrike një problematikë e hershme kjo për të cilin ERRU thekson se duhet zgjidhje përmes qeverisë qëndrore duke qenë se borxhi i akumuluar ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike është 70 milionë euro dhe në asnjë formë nuk mund të zgjidhet nga vetë ndërmarrjet.
Pjesa më e madhe e subvencioneve rreth 42 për qind ka shkuar sipas ERRU si fond shtesë për të paguar sigurimet shoqërore të punonjësve të këtyre shoqërive ndërsa 14 për qind të tjera ishin fonde shtesë për tatime.
Marrë nga Monitor.al