Sot është 8 Marsi, që njihet ndërkombëtarisht si Dita e Gruas. Në Shqipëri, ndonëse janë bërë përparime në barazinë gjinore, sërish ka diferenca të mëdha, teksa meshkujt paguhen më shumë sesa femrat dhe dominojnë në pozicionet drejtuese, si në biznes, ashtu dhe në politikë.
Femrat ua kalojnë meshkujve vetëm për pagat në pozicione drejtuese
Mesatarisht gratë paguhen 10% më pak sesa burrat, sipas INSTAT, diferencë më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian prej rreth 15%, sipas Eurostat.
Paga mesatare e femrave në vend ishte 49.4 mijë në fund të vitit 2019, përkundrejt rreth 55 mijë lekë/muaj të meshkujve. Nga 36 grup profesione që raporton INSTAT, vetëm në 4 prej tyre gratë paguhen më shumë, ose njëlloj në raport me burrat (Drejtues administrativë dhe komercialë; Punonjës në profesionet e elektro-teknologjisë; Punonjës të shërbimeve personale dhe të mbrojtjes; Punëtorë të bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit).
Diferenca më e madhe në paga është për profesionin e “Specialistë të shkencave të fizikës, matematikës dhe inxhinierisë”, ku gratë paguhen rreth 33% më pak.
Por, femrat duket se janë drejtuese më të mira sesa meshkujt. Në profesionin e “Drejtues administrativë dhe komercialë”, ato paguhen gati 19% më shumë sesa burrat. Ky është dhe profesioni, ku gratë paguhen më shumë, mesatarisht me 170 mijë lekë në muaj, duke shënuar dhe rekordin si për grupprofesionet ashtu dhe për gjinitë (për meshkujt paga është rreth 150 mijë lekë në muaj).
Më pak gra administratore dhe pronare
Femrat në pozicione drejtuese në biznes, apo që zotërojnë një sipërmarrje vijojnë të mbeten të ulëta. Pesha e grave pronare / administratore u ul në 25.4% në 2019 krahasuar me 25.7% në 2018, sipas INSTAT. Përqindja e grave pronare/administratore është më e lartë në ndërmarrjet e vogla (1-4 e të punësuarve) me 25.8% gra, një përqindje më e vogël krahasuar me 2018. Në kategoritë e tjera (5-9 punonjës, 10-49 dhe mbi 50 të punësuar) përqindja e grave pronare/administratore është rritur, krahasuar me vitin e kaluar.
Numri i grave pronare ose administratore të bizneseve në sektorin e prodhimit dhe shërbimeve është rritur me 1.0 pikë përqindje, krahasuar me 2018. Numri i bizneseve me gra pronare ose administratore është më i madh në sektorin e shërbimeve sesa në sektorin e prodhimit, 33.3% dhe 11.9% përkatësisht.
Në vitin 2019, shpërndarja e ndërmarrjeve aktive sipas rajoneve tregon se ndërmarrjet me gra pronare ose menaxhere janë përqendruar kryesisht në rajonin e Tiranës (32.4%). Tirana ndiqet nga Lezha (28.9%). Pesha e ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë në të gjitha rajonet është më e lartë në sektorin e shërbimeve sesa në sektorin e prodhimit, me ofruesit e shërbimeve të përqendruar në Tiranë (35.2%), ndërsa prodhuesit në Elbasan (15.9%).
Burrat dominojnë në depozita dhe kredi
Depozitat familjare mbahen kryesisht në emër të meshkujve. Sipas INSTAT, në vitin 2019, kishte gati 2 milionë llogari depozituese në sektorin familjar, që zotëroheshin nga burrat ose 34% më shumë sesa gratë.
Edhe për kreditë, meshkujt dominojnë, teksa kishin 211 llogari huamarrëse në sektorin familjar, ose rreth 30% më shumë sesa femrat. Në krahasim me vitin 2016, llogaritë huamarrëse të marra nga femrat pothuajse janë përgjysmuar.
Tendencë në rënie kanë shënuar dhe llogaritë depozituese, që janë tkurru me 23% për të njëjtën periudhë.
Në të kundërt, llogaritë depozituese tek meshkujt kanë mbetur pothuajse të pandryshuara, ndërsa ato të kredisë janë rritur me rreth 7.2% për periudhën 2016-2019.
Dominanca më e lartë e grave në Parlament, në vitet …1975-1990
Ndonëse pjesëmarrja e grave në Kuvend është rritur vitet e fundit, a e dini se në periudhën e socializimit, ato kanë qenë më të angazhuara. Sipas të dhënave të INSTAT, që e raporton treguesin e pjesëmarrjes në Parlament sipas gjinisë, që nga viti 1920, pesha më e lartë e tyre raportohet në 1974, me 33.2% të totalit.
Gratë filluan të përfaqësohen në Kuvend për herë të parë në vitin 1945 dhe deri në 1990-n përbënin gati një të tretën e tij. Në fillim të viteve 1990, pesha e tyre ra dukshëm, në 6-7%, ndërsa më pas filloi të rritej gradualisht, duke e kaluar 20%.
Në legjislaturën e vitit 2017, u arrit niveli më i lartë që pas viteve ’90, me gati 30%, por sërish më i ulët se në epokën socialiste.
Në Europë, sipas Eurostat, peshën më të lartë te grave në Parlament e ka Suedia, me afêr 50%, e ndjekur nga Finlanda me 46%, Belgjika me 43%, ndërsa më të ulëtën, Hungaria dhe Malta me nga 13% secila.
Raporti meshkuj- femra
Në 1 janar 2020, 50.1% e popullsisë së vendit ishin femra dhe 49.9% ishin meshkuj, sipas INSTAT.
Raporti i gjinisë sipas grupmoshës tregon një prevalencë të popullsisë së burrave deri në grupmoshën 39 vjeç.
Edhe pse meshkujt e porsalindur kanë qenë historikisht më të lartë se femrat në Shqipëri, për grupmoshën 40+ vjeç, numri i meshkujve është 5% më pak se femrat. Kjo shpjegohet me shkallën më të lartë të migrimit të burrave dhe faktin që gratë e moshuara jetojnë më gjatë se burrat.
Mosha mesatare për burrat, në fund të vitit 2019 është 36.3 ndërsa për gratë është 38.2 vjeç. Mosha më e lartë mesatare e grave është për shkak të jetëgjatësisë së tyre të lartë.
Shkalla e Fertilitetit Total (TFR) një tregues standard që tregon numrin mesatar të fëmijëve që një grua në moshën riprodhuese pritet të lindë ishte 1.36 fëmijë për vitin 2019, që do të thotë se nga 100 gra, pritet të lindin 136 fëmijë, sipas normave të fertilitetit të vitit 2019. Ky indeks është nën nivelin e zëvendësimit prej 2.1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk është në gjendje të zëvendësojë veten. Shkalla e lindshmërisë ka rënë shpejt me kalimin e viteve dhe tani është një nga më të ulëtat në Evropë. (Mesatarja e BE-së është 1.55).
Shkalla specifike e lindshmërisë së grupmoshës për vitin 2019 tregon se burrat bëhen prindër afërsisht pesë vjet më vonë se gratë.
Gratë jetojnë mesatarisht 3 vjet më shumë se burrat
Gratë në vend jetojnë mesatarisht 3 vjet më shumë sesa burrat, sipas INSTAT.
Jetëgjatësia e pritshme në lindje për femrat është 80.6 vjeç, ndërsa për meshkujt 77.6.
Kjo diferencë lidhet me stilin e jetesës, që është më i shëndetshëm te gratë.
Të cilat janë më kujdesshme për të zbatuar kurat për sëmundje, për të mos pirë cigare apo alkool.
Krimi, një fushë ekskluzive e burrave
Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i veprave penale nga gratë është relativisht i ulët. Në fund të vitit 2019, gratë përbënin vetëm 1.7% të numrit të përgjithshëm të të burgosurve, ose 86 në total. Mashtrimet kryesore janë grabitja, vrasjet, mashtrimet dhe krimet e drogës.
Gratë e burgosura për Mashtrim dhe Vrasje zënë përqindjen më të lartë të grave të burgosura, përkatësisht 22.1% për Mashtrim dhe 18.6% për Vrasje. Burrat në grupmoshën 18-29 mbizotërojnë në numër në burgje, të ndjekur nga grupmosha 30-39 vjeç; ndërsa shumica e grave janë në grupmoshën 30-39 vjeç, të ndjekura nga ato të grupmoshës 40-49 vjeç. Gjatë viteve, numri më i madh i të burgosurve si për burra dhe gra ka të bëjë me ata me arsim fillor 9-vjeçar, të ndjekur nga personat me arsim të mesëm. Sa i përket nivelit universitar, gratë vërehen se zënë një përqindje më të lartë me rreth 18.6% krahasuar me 5.2% të burrave të dënuar.
Marrë nga Monitor.al