Këshilli i Ministrave ka hartuar një projektvendim, i cili pritet të shtyjë afatin e deklarimit të regjistrit të pronarëve përfitues edhe me dy muaj të tjerë, përtej 31 marsit që ishte afati fillestar, duke e çuar në 30 qershor.
Sipas draftit, që iu është dërguar shoqatave të biznesit për mendim, parashikohet që të bëhet një ndryshim në Vendimin nr. 1088, date 24.12.2020 “Për përcaktimin e mënyrës dhe procedurave të regjistrimit dhe publikimit të të dhënave për pronarët përfitues, si dhe të njoftimit nga autoritetet shtetërore kompetente dhe nga subjektet e detyruara”, i cili përcakton se “Subjektet raportuese ekzistuese regjistrojnë të dhënat për pronarët e tyre përfitues brenda 60 ditëve kalendarike nga Krijimi i Regjistrit të Pronarëve Përfitues, por jo më vonë se data 30.06.2021”.
Ky ndryshim erdhi pas ankesave të shumta të Shoqatave të biznesit që shprehën shqetësimin e tyre lidhur me problematikat që po hasnin në deklarimin e pronarëve përfitues, sidomos ata që ishin të huaj. Pak ditë më parë, 11 Dhoma Tregtie dhe Shoqata Biznesi, kryesisht të huaja, i dërguan një shkresë ministres së Financave, Anila Denaj, dy komisioneve parlamentare dhe për dijeni kryeministrit Edi Rama, ku kërkon shtyrjen e afatit për deklarimin e të dhënave të pronarëve përfitues.
Një tjetër shqetësim i ngritur në kërkesën e bizneseve ishte zgjatja e vlefshmërisë së dokumenteve me origjinë të huaj deri në 90 ditë (nga 1 muaj që parashikon ligji aktual) pasi, sipas tyre është e vështirë që një subjekt i huaj të pajiset me dokumentacionin e nevojshëm në vendin e origjinës, ta apostilojë, përkthejë zyrtarisht në gjuhën shqipe dhe ta noterizojë në një afat kaq të shkurtër.
Vendimi i ri i qeverisë pritet që të adresojë dhe këtë problematikë. Sipas draft vendimit, Pika c, e kreut III, “Dokumentacioni dhe forma e kērkuar”, ndryshon si vijon: “Dokumentacioni i përcaktuar në pikat “i”. “i” dhe “iv” të gërmës “a” duket të jetë hartuar jo më vonë se 90 dite kalendarike nga data e aplikimit për regjistrimin fillestar të të dhënave të pronarit përfitues, të subjekteve raportuese”.
Rreth 55 mijë biznese duhet të deklarojnë pronarët përfitues, edhe ata me status pasiv
Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) bën të ditur se në total janë rreth 55 000 subjekte (subjekte tregtare dhe OJF), të cilët kanë detyrimin e regjistrimit të pronarit përfitues. Gjoba e parashikuar në rast të mos aplikimit është 500 mijë lekë (rreth 4 mijë euro).
Detyrimin për të bërë këtë deklarim e kanë edhe gjithë subjektet apo organizatat jofitimprurëse, që janë në status pasiv dhe përjashtohen vetëm subjektet e çregjistruara. https://www.monitor.al/bizneset-ne-kerkim-te-pronareve-si-veprohet-kur-kompanite-jane-listuar-ne-bursa-cili-eshte-pronar-perfitues-ne-ojf/
Objekt i deklarimit nuk janë vetëm personat fizikë.
Regjistrimi bëhet me aplikim nga personi i autorizuar (përfaqësuesi ligjor) për të përfaqësuar subjektin përkatës, nëpërmjet shërbimit “regjistrim i pronarit përfitues”, në portalin e-albania. https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx?service_code=14519
Por, ky proces po has vështirësi të shumta, që nga funksionimi i platformës deri te paqartësitë teknike për pronarin përfitues të OJF-së, koha e nevojshme për sigurimin e dokumentacionit për investitorët e huaj, identifikimin e kompanive të huaja që janë listuar në bursa të ndryshme, por dhe kompani që pronari përfitues nuk është një person fizik, por një shtet i huaj.
Ligji për “Regjistrimin e pronarëve përfitues”, i cili ishte një kërkesë e Mekanizmit Europian Moneyval me qëllim luftën kundër pastrimit të parave, është miratuar në gusht 2020, ndërsa udhëzimi që rregullon funksionimin e tij, në dhjetor 2020. Ligji, që synon të bëjë transparencë mbi aksionerët e subjekteve të ashtuquajtura offshore (me pronar të panjohur) parashikonte një muaj kohë për krijimin e Regjistrin e Pronarëve Përfitues (RPP), deri më 31 janar, proces që u realizua nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Pas krijimit të regjistrit, subjektet raportuese kanë 60 ditë afat për të regjistruar pronarin/ët përfitues.
Pronar përfitues, sipas ligjit, është individi i cili ka në pronësi ose kontrollon i fundit, përmes pronësisë direkte ose indirekte të 25% ose më tepër, të: aksioneve/kuotave; pjesëmarrjes në kapitalin e subjektit; të drejtave të votimit; ose përfiton nga transaksionet e kryera nga subjekti në emër të tij.