20 vjeçari Kujtim Fejzullait, me shtetësi të Austrisë dhe të Maqedonisë së Veriut, është identifikuar si i dyshuar për sulmin e së hënës.
Autoritetet në Maqedoninë e Veriut, thanë se po bashkëpunojnë me autoritetet austriake rreth sulmit të së hënës në Vjenë, që la pas vetes pesë të vrarë, në mesin e të cilëve është edhe autori i sulmit.
Familja e Fejzullait është me prejardhje nga fshati Çellopek i komunës së Tetovës. Banorë të këtij fshati thanë se familja nuk njihej për pikëpamje ekstremiste, por se i riu mund të jetë indoktrinuar nga rrethi ku është rritur në Vjenë.
Policia e Maqedonisë së Veriut tha se autoritetet policore austriake përmes EUROPOL-it kanë kërkuar informata dhe bashkëpunim lidhur me rastin dhe se Sektori për bashkëpunim ndërkombëtar i ministrisë së Brendshme po bashkëpunon me zyrtarët austriak, por nuk kanë ndonjë dosje mbi veprimtarinë e Kujtim Fejzullait.
Një nga viktimat e sulmit të së hënës është një shqiptar nga Maqedonia e Veriut. Familjaret thanë se i vrari është Nexhip Vrenezi, 21 vjeçar me prejardhje nga Veleshta e Strugës.
Sulmi i së hënës u dënua gjerësisht në Maqedoninë e Veriut.
Presidenti maqedonas Stevo Pendarovski ka biseduar në telefon me presidentin austriak Alexander Van der Belen, të cilit i ka shprehur ngushëllime për jetët e humbura. “Sulmi terrorist është sulm ndaj vlerave të përbashkëta në të cilat besojmë dhe ndaj mënyrës sonë të jetesës”, citohen të kenë thënë të dy presidentët, sipas një komunikate të zyrës së zotit Pendarovski.
Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup e cilësoi si një “sulm tragjik ndaj njërit prej qyteteve më të sigurt në Evropë”.
“E ndajmë dhimbjen me miqtë tanë austriakë dhe evropianë. Terrorizmi nuk njeh komb as fe, as origjinë”, thuhet në komunikatën e ministrisë së jashtme në të cilën nënvizohet se Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian i kontribuon në mënyrë aktive koalicionit ndërkombëtar për luftën kundër terrorizmit të çfarëdo lloji.
Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, e “dënon ashpër çdo vepër dhe akt të dhunës që bëhet në emër të Islamit dhe myslimanëve dhe ka për synim të marrë jetën e njerëzve, dëmtimin e objekteve fetare, të krijojë kaos dhe terror në rrugët e Evropës, të lëkundë themelet e tolerancës ndërfetare dhe të ngjallë mosbesim tek komuniteti mysliman në përgjithësi”. Sipas kësaj bashkësie këto vepra janë “qyqare, të pa pranueshme dhe të ndaluara sipas të gjitha mësimeve të islamit”.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim, në reagimin e saj tha se Republika e Maqedonisë së Veriut dhe qytetarët e saj janë përkrah Austrisë dhe aleatëve ndërkombëtarë në luftën kundër terrorizmit.
“Austria dhe në veçanti Vjena janë nikoqirë të shumë familjeve nga Republika e Maqedonisë së Veriut, të cilëve vazhdimisht u ka ofruar mundësi të barabartë në të gjitha fushat e jetës, ndërsa kontributi i shtetit austriak në rajon është i jashtëzakonshëm”, theksohet në një komunikatë të partisë shqiptare e cila shton se “ekstremizmi i dhunshëm nuk ka dhe nuk do të ketë vend asnjëherë në shoqërinë tonë dhe se ai duhet çrrënjosur”.