Kriza nga Covid-19 ka shkaktuar vështirësi te sektori i transportit të udhëtarëve në vend.
Operatorët kryesorë të transportit qytetas të Tiranë pohojnë rënie të fluksit të pasagjerëve 60%, ndërsa në punë po vihet 75% e flotës të autobuzave. Të gjithë operatorët edhe pse ka rënë fluksi i pasagjerëve dhe orari është reduktuar janë të detyruar të zbatojnë itinerarin dhe ciklet e frekuencave, siç janë të parashikuara në kontratën e Bashkisë të Tiranës
Në një letër drejtuar Ministrisë të Financave pohojnë rënien e numrit të udhëtarëve dhe kërkesës për abone mujore. “Duke qenë se jemi në një periudhë pandemie numri i udhëtarëve që qarkullojnë në autobusët e shërbimit urban të qytetit të Tiranës është ulur ndjeshëm, si pasojë e frikës së shpërndarjes së virusit, si edhe thirrjeve të vazhdueshme të Komitetit teknik të mjekëve dhe Ministrisë së Shëndetësisë për shmangien, sa më të mundshme të shërbimit urban, sepse konsiderohet një hapësirë e mbyllur dhe e rrezikshme për shpërndarjen e virusit Covid-19. Për sa kohë që ky numër udhëtarësh që lëvizin në transportin urban është ulur ndjeshëm dhe kërkesa e tyre për blerjen e biletave të pajtimit mujor (abone mujore) ka pësuar një rënie të konsiderueshme”, thuhet në letrën drejtuar Ministrisë të Financave.
Kjo situata krize ka favorizuar shitjen e aboneve mujore me çmim 900 deri në 1,000 lekë nga 1,600 lekë që është çmimi i vendosur nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Financave. Operatorët e transportit qytetas rekomandojnë që kjo problematike do të zgjidhej nëse nga operatorët e linjave urbane, të kthehet çdo abone mujore e mbetur e pashitur gjatë muajit përkatës përpara se t’i dorëzohen abonete e muajit pasardhës.
Për çdo biletë të shitur të pajtimit mujor operatorët e shërbimit urban duhet të derdhin në arkën e buxhetit të shtetit rreth 550 lekë. Moskthimi i aboneve të pashitura nga operatorët e transportit urban pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve përpara se operatorët të tërheqin abonete e muajit pasardhës , po krijon problematika për operatorët e tjerë të transportit urban që deklarojnë çdo të ardhur dhe paguajnë rregullisht çdo detyrim në arkën e shtetit.
“Duke qenë se nga ana e drejtorisë së përgjithshme të tatimeve nuk kërkohet dorëzimi dhe kthimi mbrapsht i të gjitha biletave të pashitura, disa nga operatorët nuk i deklarojnë të gjitha biletat e pashitura dhe shmangin pagesën e detyrimeve, që duhet të bëjnë në arkën e shtetit. Me anë të këtij veprimi ata shmangin pagesën e TVSH-së, pagesën e tatim fitimit, si edhe duke mos deklaruar të ardhura në biznesin e tyre ata shmangin edhe pagesën e dividendit, gjë e cila ndikon direkt në uljen e të ardhurave në buxhetin e shtetit”, thuhet në shqetësimin e ngritur nga përfaqësuesit e sektorit qytetas.
Ankesë për mbipopullimin e tregut me abone të përgjithshme të pajtimit mujor të linjave urbane dhe shitjen e tyre në treg të zi me gjysmën e vlerës të saj është përsëritur edhe për Bashkinë e Tiranës. Në letrën drejtuar këtij institucioni operatorët theksojnë se për këtë arsye kanë mungesë të ardhurash që po ndikojnë direkt në pamundësinë reale të tyre për të përmirësuar cilësinë e shërbimit dhe për të plotësuar më pas të gjitha kushtet dhe standardet që parashikon legjislacioni në fuqi./ D.Azo
Marrë nga Monitor.al