Pandemia Covid -19 zhbalancoi treguesit buxhetorë, duke ulur të ardhurat e rritur shpenzimet dhe zgjeruar deficitin buxhetor.
Sipas treguesve fiskale të Ministrisë së Financave në vitin 2020 të ardhurat buxhetore ishin sa 27.1 për qind e PBB me një ulje 0.3% pikë përqindje në raport me vitin paraardhës. Ky ishte niveli më i ulët i të ardhurave më raport me PBB që nga viti 2015.
Vitin e kaluar totali i të ardhurave buxhetore arritur në 425 miliardë lekë, me një tkurrje prej 7.5%, ose 34.7 miliardë lekë (280 milionë euro) më pak sesa vit të kaluar, ndërsa PBB e vitit 2020 pritet të tkurret me 4.4% (107 miliardë lekë ose 869 milionë euro) në raport me vitin 2019.
Edhe pa efektet e krizës pandemike, Shqipëria kishte rendimet të ulët fiskal, pasi të ardhurat në raport me PBB më 2019 ishin së paku10 pikë përqindje më të ulëta se mesatarja rajonale sipas të dhënave të Eurostat.
Rendimenti fiskal në raport me prodhimin ka shënuar vlerën rekord prej 27.8% të PBB një herë në vitin 2017 dhe rreth 20 vite më parë gjatë vitit 1999. Shqipëria ka nivelin më të lartë të taksave në rajon, por arkëtimet buxhetore vuajnë nga niveli i lartë i informalitetit që karakterizon ekonominë tonë. Organizata ndërkombëtare e Punës ILO referoi së fundmi se informaliteti në tregun e punës është 60 për qind në Shqipëri, ndërsa studime më të hershme të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore referojnë se evazioni fiskal në disa lloje tatimesh shkon edhe në 50 për qind.
Përpjekjet për të luftuar informalitetin dhe zgjeruar bazën e tatimpaguesve e kanë komplikuar legjislacionin fiskal, duke vështirësuar shpesh zbatimin e tij.
Shpenzimet buxhetore, 34.1% e PBB, niveli më i lartë që nga 1999
Shpenzimet buxhetore arritën gjatë vitit të kaluar në 34.1 % të PBB-së, niveli më i lartë që nga viti 1999 prej 37.4 % e PBB-së. Teksa të ardhurat shënuan ulje shpenzimet buxhetore pësuan rritjen më të lartë në dy dekada si rrjedhoje e paketave të ndihmës që u dhanë për përballimin e krizës pandemike dhe për procesin e rindërtimit të pasojave të tërmetit të 26- nëntorit. Shpenzimet e përgjithshme publike për vitin 2020, arritën në rreth 536.3 miliard lekë, 9 për qind më i lartë se vitit 2019 ose 44.4 miliard LEK më shumë.
Vitin e kaluar nga buxheti i shtetit u shpenzuan rreth 13 miliardë lekë në dy paketat e ndihmës për përballimin e pandemisë Covid- 19.
Për procesin e rindërtimit u shpenzuan 16.6 miliardë lekë (134.9 mln euro) nga fondi i programuar prej 29 miliardë lekësh (235 mln euro). Për përballimin e situatave të jashtëzakonshme, tërmetit dhe pandemisë, qeveria shpenzoi rreth 30 miliardë lekë nga fondet buxhetore. Kjo shumë ishte më e ulët se shtesa e shpenzimeve prej 44 miliardë lekësh e vitit 2020.
Deficiti buxhetor, -7% e PBB-së, vlera më e lartë që nga 2009
Deficiti buxhetor (diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve) arriti gjatë vitit në 7% e PBB me një vlerë 110 miliardë lekë, ose 890 milionë euro. Ky ishte niveli më i lartë që nga viti 2009, kur qeveria atëhershme rriti borxhin e ri vjetor për të financuar punimet në rrugën e Kombit. Gjithsesi, deficiti buxhetor është 21 miliardë lekë më pak sesa plani i rishikuar i 2020 prej 132 miliardë lekësh.
Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), deficiti buxhetor ka arritur në rreth 7%, nga 1.9% vitin e mëparshëm, duke qenë shumë larg mbi kufirin e deficitit në vite normale, që nuk duhet të jetë më i lartë se 2% e PBB-së. Por, për shkak të pandemisë dhe nevojave për rindërtim, ky rregull fiskal pritet të mos zbatohet deri në vitin 2024, kur parashikohet kthimi i tij në nivele normale, sipas kuadrit makroekonomik e fiskal.
Shtimi i shpenzimeve në një kohë që të ardhurat janë në rënie ka rritur dhe borxhin publik, që arriti në 77.8% të PBB-së në fund të 2020-s, nga 66.3% vitin e mëparshëm./ B.Hoxha
Marrë nga Monitor.al