Transporti urban në Tiranë, përveç rënies së fluksit të pasagjerëve deri në 60% nga frika e infektimeve të Covid-19, informalitetit me shitjen e aboneve, po vuan edhe shkeljet e përsëritura nga linjat rreth-qytetase.
Kompanitë private të linjave urbane, si: Kombinat-Kinostudio-Tufinë, linja e Tiranës së Re dhe ish-Uzinës Së Autotraktorëve pohojnë se në kundërshtim me itinerarin e përcaktuar nga Bashkia e Tiranës, disa operatorë rreth-qytetas po ndërhyjnë, duke u marrë pasagjerë. Punimet në rrugë dhe trafiku i krijuar janë të tjerë faktorë pengues.
Drejtori i transportit urban në “Alba Trans”, Rixhin Qoshja, tha për “Monitor” se humbjet e kompanisë nga nëntori i 2020 deri tani, për shkak të kësaj problematike dhe devijimit të qarkullimit nga punimet në rreth-rrotullimin “Shqiponja” llogariten 40 mln lekë.
Sipas tij, në total humbjet e kompanisë nga reduktimi i pasagjerëve për shkak të pandemisë, informalitetit me abonetë dhe problematikës me linjat rreth-qytetase dëmet llogariten 1 mln euro.
“Linja e Tiranës së re përbëhet nga dy itinerare, një e brendshme në formë unaze dhe ajo e jashtme. Unaza e brendshme është e pezulluar, pasi për shkak të punimeve në rrethrrotullimin “Shqiponja” nuk mund të vazhdosh itinerarin nga “Pallati me shigjeta” drejt Laprakës. Në linjën e jashtme kalojnë linjat rreth-qytetase, të cilat ndalojnë në të gjitha stacionet e Tiranës së Re, ndërkohë që duhet të ndalojnë vetëm në stacionet e përcaktuara nga Bashkia e Tiranës. Kjo është një problematikë që po na shkakton dëme të mëdha financiare. Për shkak të punimeve nuk jemi në gjendje të zbatojmë kontratën që kemi me bashkinë. Problematika nga punimet është e njëjtë edhe për linjën e uzinës të Autotraktorëve”.
Shqetësimi për abuzimet me linjat rreth-qytetase ngrihet edhe nga kompania “Shega Trans” që administron linjën urbane Kombinat-Kinostudio-Tufinë. Drejtori i transportit urban, Kostandin Foni pohon se problematika me marrjen e pasagjerëve po krijohet nga linjat rreth-qytetase nr. 21, Tiranë – Ndroq Tiranë, nr.19 Tiranë-Pezë- Tiranë dhe nr. 17 Tiranë – Vaqarr -Tiranë.
Drejtori i linjës urbane Kinostudio-Kombinat shprehet se për zgjidhjen e kësaj situate i është drejtuar me shkresa zyrtare edhe Policisë Bashkiake, pasi shkeljet janë të përsëritura dhe kryhen nga këto linja që me nisjen e veprimtarisë së punës, ora 06:00 deri në mbylljen e linjës.
“Çmimi i linjave qytetase për ofrimin e shërbimit të transportit urban është 40 lekë e përcaktuar me Vendim të Këshillit Bashkiak, ndërkohë për linjat rreth-qytetase kjo vlerë është 50-100 lekë në varësi të distancës. Nga praktika rezulton se pasagjerët të cilët merren në stacionimet e linjës sonë nga këto linja rreth-qytetase, paguajnë biletën prej 20 – 30 lekësh, pra 10-20 lekë më pak se vlera e biletës së linjës urbane qytetase dhe 20 deri 60 lekë më pak se bileta e përcaktuar për lëvizjen rrethqytetase.
Automatikisht, biletat prej 50-100 lekësh të përcaktuara për linjat urbane rreth-qytetase nuk përdoret për pasagjerët që merren në këto stacionime (stacionimet qytetase) në mënyrë të paligjshme dhe jashtë çdo kriteri ligjor për lëvizjen qytetase të tyre. Pra në këto raste kemi mospajisjen e pasagjerëve me bileta udhëtimi.
Kjo mënyrë veprimi jo vetëm krijon përfitime të padrejta kundrejt operatorëve në treg, por sjell dhe mosdeklarimin real të tyre dhe kryerjen e veprimeve me qëllim evazionin fiskal për përfitime financiare”, thuhet në letrën e këtij operatori drejtuar Policisë Bashkiake të Tiranës.
Më herët në një letër drejtuar Drejtorisë të Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë të Hetimit Tatimor operatorët e transportit urban në Tiranë, ngritën shqetësimin e mbipopullimit të tregut me abone të përgjithshme, nga shitja e tyre në tregun e zi me gjysmë çmimi. Kompanitë pohuan edhe funksionimin e një skeme evazioni, që po favorizohet nga rënia e fluksit të frekuentimit për shkak të Covid -19 dhe mungesës të kontrollit nga institucionet shtetërore.
Marrë nga Monitor.al