Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës ka vijuar me 35 minuta me vonesë ditën e sotme. Më herët kreu i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca lajmëroi se në orën 17:00 pritej që të niste procesi, por salla e Kuvendit u mbush në 17:35.
“Seanca për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës do t’i vazhdojë punimet nesër më datë 4 prill 2021 në orën 17:00”, tha Konjufca, por ende nuk duket asnjë deputet në Kuvend. Gjithsesi, Lëvizja Vetëvendosje është treguar optimiste për zgjedhjen e Vjosa Osmanit si Presidente në ditën e sotme.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi është shprehur i bindur se sot i kanë votat e mjaftueshme për ta zgjedhur Vjosa Osmanin presidente. Abrashi ka thënë për T7 se kanë mjaftueshëm vota për ta përmbyllur me sukses këtë proces. Nga ana tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila ka konfirmuar se deputeti i komunitetit goran, Adem Hoxha, do të marrë pjesë në seancën e sotme.
Hoxha ka zhvilluar një takim me Albin Kurtin pak më herët dhe ky i fundit e ka bindur të marrë pjesë në votim si dhe të mbështesë Osmanin.
Raundi i parë i votimit u përsërit dy herë, pasi në votim nuk morën pjesë 80 deputetë apo dy e treta e deputetëve, numër ky i nevojshëm për t’u konsideruar i konsumuar raundi i parë i votimit.
Tre deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës: Avdullah Hoti, Agim Veliu dhe Driton Selmanaj, pavarësisht se ishin në sallë gjatë votimit, nuk morën pjesë në këtë proces. Sipas Kushtetutës, në rrethin e parë të votimit duhet që të paktën 80 deputetë të marrin pjesë në votim, në të kundërtën votimi përsëritet.
I njëjti rregull për pjesëmarrjen e 80 deputetëve vlen edhe për raundin e dytë të votimit. Të pranishëm në sallë ishin 82 deputetët të Lëvizjes Vetëvendosje, të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ata të komuniteteve joserbe. Po ashtu e pranishme në seancë ishte edhe Albena Reshitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Në nisje të seancës ishte i pranishëm edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe deputeti Bedri Hamza, por më pas ata lëshuan sallën.
Deputetët e tjerë të AAK-së, të PDK-së dhe të Listës Serbe, i bojkotuan punimet e kësaj seance.
SI ZGJIDHET PRESIDENTI NË KOSOVË:
Sipas Kushtetutës, që një person të zgjidhet president i Kosovës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e ulësve në Kuvend, pra 80 kartona jeshilë nga 120 në total. Në raundin e tretë gjithçka lehtësohet, pasi president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë. Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.