Rusia ka njoftuar të premten sanksionimin e tetë zyrtarëve amerikanë dhe dëbimin e diplomatëve si hakmarrje për veprimet e Biden. CNC raporton se në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse u përmendën emra si drejtori i FBI Christopher Wray dhe drejtori i Inteligjencës Kombëtare Avril Haines.
Sanksionet ishin një nga disa masa që mori Moska vetëm një ditë pasi Presidenti Joe Biden njoftoi sanksione gjithëpërfshirëse kundër Rusisë dhe paralajmëroi kundër një “cikli përshkallëzimi”. Në listën e sanksioneve përfshihej gjithashtu edhe Drejtori i Byrosë Federale të Burgjeve Michael Carvajal, Drejtoresha e Këshillit për Politikën e Brendshme Susan Rice, ish-Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton dhe ish-kreu i CIA-s Robert James Woolsey.
Rusia gjithashtu do të marrë masa për t’i mohuar ambasadës së SHBA mundësinë që të punësojë personel nga Rusia dhe vendet e treta në cilësinë e personelit mbështetës.
SHBA zotëron fuqinë për të gjymtuar ekonominë ruse, ndërsa Moskës i mungojnë mekanizamt për t’u përgjigjur me të njëjtën monedhë, megjithëse potencialisht ajo mund të dëmtojë interesat amerikane në botë në shumë aspekte të tjera.
Ministria e Jashtme ruse kishte paralajmëruar një hakmarrje “të pashmangshme”, duke akuzuar se “Uashingtoni duhet ta kuptonte se do të paguajë një çmim për degradimin e marrëdhënieve dypalëshe”.
Potenciali ekonomik i Rusisë dhe shtrirja e saj globale janë të kufizuara në krahasim me Bashkimin Sovjetik që konkurroi me SHBA për ndikim ndërkombëtar gjatë Luftës së Ftohtë. Megjithatë, arsenali bërthamor i Rusisë dhe ndikimi i saj në shumë pjesë të botës e bëjnë atë një fuqi të cilën Uashingtoni nuk mund ta injorojë.
I vetëdijshëm për këtë, Presidenti Joe Biden bëri thirrje për ulje të tensioneve dhe e ka mbajtur derën të hapur për bashkëpunim me Rusinë në aspekte të caktuara. Ai tha se i kishte deklaruar Presidentit rus Vladimir Putin në një telefonatë të martën se kishte zgjedhur të mos impononte sanksione më të ashpra tani për tani dhe propozoi të takohej me udhëheqësin rus në një vend të tretë gjatë verës.