Shumica e kompanive në vend kanë deklaruar se nuk është momenti i duhur për të zbatuar fiskalizimin. Ky proces që ka nisur nga janari i këtij viti, për të gjitha transaksionet pa para në dorë midis tatimpaguesve dhe organeve publike për t’u shtrirë më vonë deri në marrëdhënien biznes – konsumator shihet me rezerva për shkak të infrastrukturës dhe kostos. Në një anketë të Këshillit të Investimeve, bizneset kanë dhënë edhe qëndrimet e tyre.
“Informaliteti konsiderohet të jetë një nga pengesat kryesore për inovacionin e sektorëve ekonomikë në vend. Që nga janari 2021, qeveria filloi të zbatojë “fiskalizimin” si një tërësi masash për të zvogëluar evazionin fiskal në transaksionet me dhe pa para në dorë. Kur bëhet fjalë për të luftuar informalitetin, kompanitë janë të gjitha në një mendje, por koha e zgjedhur për të zbatuar këtë sistem të ri i ndan disi.
Rreth 51% e kompanive deklarojnë se nuk është momenti i duhur për të filluar zbatimin e fiskalizimit, duke argumentuar mungesën e infrastrukturës, koston e lartë të zbatimit dhe mungesën e trajnimeve, ndërsa 32% theksojnë se është momenti i duhur për të filluar zbatimin e sistemit të ri, kryesisht sepse informaliteti duhet të marrë fund” thuhet dokument.
Një pjesë e mirë e kompanive të paktën 46% pretendojnë se nuk janë të përgatitur për të përdorur sistemin dhe vetëm 29% deklarojnë se janë plotësisht të përgatitur në përdorimin e këtij sistemi të ri dhe të përmirësuar.
Anketa ndalet edhe në trajnimet e stafeve, ku sipas të dhënave, kompanitë nuk kanë një fond të dedikuar për të trajnuar punonjësit e tyre. 55% e kompanive deklarojnë se nuk kanë një fond të tillë, ndërsa 7% deklarojnë se dedikojnë fonde herë pas here.
“Vlen të përmendet gjithashtu se ekziston një konfirmim i gatishmërisë së fuqisë punëtore për të mësuar gjëra të reja. Për shembull, 68% e kompanive të përgjigjura deklarojnë se gatishmëria e punonjësve të tyre për të marrë aftësi të reja është shumë e lartë. 74% e kompanive kryejnë vlerësime për aftësitë e stafit të tyre dhe nevojat për trajnim, por vetëm 14% e tyre përdorin trajnime jashtë kompanisë. Riorganizimi është veprimi më i zakonshëm i ndërmarrë për të adresuar mungesën e aftësive të stafit ekzistues (27%)” thuhet në dokumentin e Këshillit të Investimeve.
MONITOR