Ndonëse jemi në fund të muajit prill, pranvera nuk ka ndërmend të vijë prej vërteti, me mot të ngrohtë e me diell. Të paktën, jo edhe për disa ditë. Ky është parashikimi që japin meteorologët për ditët e fundit të këtij muaji.
Në një lidhje me Skype në emisionin ”Rudina” në Tv Klan, meteorologu Hakil Osmani tha se kur do ikin “plakat e prillit” dhe si do jenë temperaturat gjatë ditëve në vijim.
“Pritet që reshjet e shiut të jenë prezente duke bërë që ditën e nesërme të kemi herë pas here rrebeshe shiu, më të dukshme do jenë në zonat qendrore dhe jugore. Gjatë ditës së shtunë, reshjet do mbeten prezente, pasditja dhe mbrëmja sjellin përmirësim të kushteve të motit, përmirësim i cili do të jetë edhe gjatë ditës së diel.
Pritet që javën tjetër të vijojë rritja e vlerave termike duke bërë që deri në 10-ditëshin e parë të muajit maj të kemi vlera të territorit shqiptar që do shkojnë edhe mbi 20°C, ndërsa në Ultësirën Perëndimore pritet që të regjistrohen edhe vlerat 27 apo 28°C. Edhe pse do kemi këtë rritje të vlerave termike, reshjet e shiut me episode të shkurtra dhe të pakta do të jenë herë pas here prezente, por nuk do përfshijnë gjithë territorin shqiptar. Do jenë reshje kryesisht të izoluara.
Pranvera që ne përjetojmë është një pranverë tipike me vlera normale, pavarësisht se në këto dy dekadat e fundit jemi mësuar me një pranverë të ngrohtë, por përsa u përket reshjeve të shiut, duhet thënë se kanë qenë reshje të pakta në sasi, ku në zonat të cilat janë plotësuar kuotat mujore janë nga Shkodra në Durrës, ndërsa pjesa tjetër e vendit ka patur sasi më të pakta të reshjeve.
Përsa u përket vlerave termike, pritet që të kemi një rritje të tyre, nuk përjashtohet mundësia që pas datës 10 maj të kemi prezencë të stuhive tropikale në vendin tonë, por dhe në Mesdhe të cilat ndodhin si pasojë e temperaturave të larta, çka bëjnë që sipërfaqet ujore të avullojnë dhe të sjellin këto stuhi”.