Kandidatet femra në zgjedhjet e 25 prillit, nga të tre partitë kryesore, PS, PD, LSI kanë arritur të marrin gjithsej 328 mijë vota, nga rreth 1.6 milionë votues në total, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të përpunuara nga Monitor.
Kandidatet gra morën 47 mandate në zgjedhjet e 25 prillit, nga 140 vende në Kuvend.
Kandidatja për deputete më e votuar nga të gjitha gratë që garonin në Kuvend është Belinda Balluku e PS-së, me 15.4 mijë vota, në listën e Tiranës, e ndjekur nga Aurora Mara, po e PS-së, në listën e Dibrës me 9.4 mijë vota. E treta është sërish nga Partia Socialiste, Ogerta Manastirliu, me 9.1 mijë vota.
E katërta është Grida Duma nga Partia Demokratike, me 8.7 mijë vota.
Më pas renditet Elisa Spiropali, nga PS, me 8 mijë vota, Etilda Gjonaj nga PS me 7.3 mijë vota dhe Anila Denaj (PS) me 6.2 mijë vota. Të gjitha e kanë marrë mandatin e deputetit.
E teta është Manjola Luku nga PD, që ndonëse është e dyta më e votuara nga gratë e PD-së, pas Dumës, nuk është mandatuar pasi nuk ishte në listën e sigurt dhe me 6.1 mijë vota nuk ka arritur të thyejë herësin në Durrës, ku dhe kandidonte.
Në vend të dhjetë është Jorida Tabaku, me 5.9 mijë vota, në listën e PD-së në Tiranë dhe e mandatuar.
Partia Socialiste, nga 59 kandidate femra që kishte në listë janë mandatuar 29, ose 45% të tyre.
Nga 74 deputetë që ka gjithsej Partia Socialiste, 36% e tyre janë femra.
Në Partinë Demokratike, janë kandiduar gjithsej 51 gra, nga të cilat kanë arritur të marrin një mandat 17, ose 33% e tyre.
Nga 59 deputetë që ka gjithsej Partia Demokratike, 29% e tyre janë femra.
Nga Lëvizja Socialiste për Integrim, nga gjithsej 4 mandate, dy i ka marrë kryetarja e saj Monika Kryemadhi, një Erisa Xhixho dhe një Agron cela. Mandati i Kryemadhit mund t’i kalojë Petrit Vasilit. LSi kishte gjithsej 58 gra në garë.