Ministria e Shëndetësisë në Kosovë ka bërë të ditur se të premten është duke vazhduar procesi i vaksinimit të qytetarëve kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.
Në njoftim është thënë se në Sallën 1 Tetori në Prishtinë do të mund të vaksinohen vetëm qytetarët e Prishtinës.
Aty është thënë edhe se grumbullimi i një numri të madh të personave në qendrën e vaksinimit në Prishtinë është rezultat i shkuarjes së qytetarëve të komunave tjera aty.
“Qytetarët e komunave të tjera të Republikës së Kosovës luten që t’u drejtohen qendrave të vaksinimit në komunat e tyre, me qëllim që të marrin informatat e duhura dhe të vaksinohen”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë.
Në orët e hershme të së premtes, pranë Sallës 1 Tetori u krijuar radhë të gjata dhe tollovi të njerëzve. Më pas Policia e Kosovës ndërhyri për të vënë rend.