Të paktën 83 për qind e pronave që u dëmshpërblyen nga kompanitë e sigurimit për shkak të dëmtimeve që pësuan nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 ishin të siguruara për efekt kredie. Kjo tregon se vetëm një pakicë e tyre rreth 17 për qind ishin në bazë vullnetare. Këto janë shifrat që raporton Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në raportin vjetor të vitit 2020 duke theksuar se deri në fund të vitit të kaluar ishte shlyer 72 për qind e vlerës së dëmshpërblimit.
“Referuar numrit të dëmeve të raportuara për ngjarjet e tërmetit, në lidhje me pronat e siguruara, vihet re që rreth 83% e tyre i përkasin të siguruarve, të cilët kanë siguruar pronën për efekt kredie, ndërsa pjesa tjetër janë prona të siguruara në mënyrë vullnetare. Bazuar në vlerësimet e shoqërive të sigurimit, për këto ngjarje, totali i numrit të dëmeve të raportuara rezulton 6,295 me vlerë rreth 4.7 miliardë lekë. Referuar periudhës 31 dhjetor 2020, dëmet e paguara rezultojnë në nivelin 90% në numër dhe 72% në vlerë, pavarësisht situatës së pandemisë në vend” thuhet në raport.
Pak pas kohës post-tërmet nga ana e kompanive u vu theksi se risiguruesit që kanë mbajtur edhe peshën kyçe në pagesën e dëmeve që shkaktoi tërmeti mund të rishikonin riskun për Shqipërinë duke rritur kështu vlerën me të cilin hynin në marrëveshje me kompanitë shqiptare. Dhe kështu ndodhi me një pjesë të tyre por sipas AMF efekti nuk ka qenë shumë i madh.
“Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka monitoruar në vijimësi procesin e pagesave të dëmshpërblimit të tërmeteve, si edhe ka mbajtur komunikim me të gjitha palët e përfshira. Përsa i përket nivelit të ekspozimit ndaj rrezikut, konstatohet se ngjarjet e tërmetit nuk kanë patur efekt të konsiderueshëm në marrëveshjet e risigurimit” thuhet në raport.
Pagesat ndaj tërmetit zunë pjesën më të madhe të dëmeve bruto të paguara nga ana e kompanive të sigurimit. Në vitin 2020 dëmet e paguara bruto arritën në 7.5 miliardë lekë, përfshirë dhe dëmet objekt Fond Kompensimi, duke u rritur me 17.45%, në krahasim me vitin 2019.
Marrë nga Monitor.al